Site icon Tetova Expres

Kontrolloni a jeni në listat zgjedhore! Afati skadon më 18 mars, ja si mund ta kontrolloni

Përgatitjet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare janë intensive nga pjesëmarrësit në zgjedhje, si dhe nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ). Më 18 mars përfundon kontrollimi i Listës Zgjedhore si për zgjedhjet presidenciale ashtu edhe për ato parlamentare dhe më pas përfundon afati për votim në diasporë. Listat e kandidatëve për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuesit e autorizuar të propozuesve i dorëzojnë në KSHZ më së voni deri më 19 mars në ora 24:00.

Nga KSHZ-ja informojnë se deri më 11 mars, gjithsej 3.994 persona kanë kontrolluar Listën Zgjedhore në njësitë dhe zyrat rajonale, gjashtë persona kanë kërkuar ndryshimin e të dhënave, nëntë persona kanë kërkuar që të dhënat e tyre t’i shënojnë në listën zgjedhore dhe pesë kanë kërkuar fshirje.

Qytetarët mund të kontrollojnë edhe në mënyrë elektronike përmes faqes së internetit të KSHZ-së dhe mund të paraqesin edhe kërkesa (KËTU). Pra, deri më 11 mars, kërkesë për ndryshim elektronik të të dhënave kanë paraqitur 21 persona, nga të cilët tre persona kanë kërkuar fshirje të të dhënave dhe shtatë për regjistrim në Listën Zgjedhore.

Sipas informatave nga Aplikacioni i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për Regjistrimin e Votuesve të Diasporës (sec.mk), sot në mëngjes ai numër është 1010 të regjistruar, prej të cilëve 617 janë pranuar, 278 nuk janë shqyrtuar dhe 115 janë refuzuar.

Nënshkrimet e nevojshme për president i mblodhën presidenti aktual Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE, Bujar Osmani nga BDI, Arben Taravari nga koalicioni opozitar shqiptar VLEN, kandidati i GROM-it Stevço Jakimovski, Maksim Dimitrievski lideri i ZNAM- Për Maqedoninë tonë dhe Biljana Vankovska Cvetkovska nga E Majta.

Advertisement
Exit mobile version