Drunjtë e prerë në shtratin e Lumit Shkumbin që u prenë gjatë ditës së diel, ende vazhdojnë të jenë në të njejtin vend. Prerja e drunjëve ishte bërë nga komuna e Tetovës, ndërsa pas ndërhyrjes së Policisë Pyjore dhe Ndërmarrjes Pyjet Kombëtare, prerja ishte ndërperë. Kjo kishte shkaktuar përplasje mes komunës së Tetovës dhe drejtorisë Pyjet Kombëtare. Dhe përderisa në shtratin e lumit Shkumbin ende qëndrojnë drunjtë e prerë, banorët e kësaj lagje janë shprehur të revoltuar. Sipas tyre, nëse nuk pastrohet lumi pasojat mund të jenë të mëdha dhe mund të përsëriten vërshimet e viteve të mëhershme.“Kërkojmë që sa më shpejtë të hiqen drunjtë nga shtrati i lumit. Gjitha shtëpitë që janë rreth shtratit të lumit janë të rrezikuara dhe problemi qëndron në atë se organet komunale i pritëm me gëzim që ndërmorën aksionin sepse aty u bë si pyll nga drunjtë dhe mbeturinat, sidomos nga mos përpjekja e organeve pararendësve që nuk e panë të arsyeshme asnjëherë të merren me shtratin e lumit”, tha një banor. Nga komuna e Tetovës thonë se nuk mund të marrin asnjë veprim për të larguar drunjtë dhe presin që Drejtoria Pyjet Kombëtare të largojnë drunjët dhe të vijojnë punët për pastrimin e lumit Shkumbin.“Kemi bërë kërkesë deri tek Pyjet e Maqedonisë për largimin e druve por ende nuk kemi përgjigje. Situata në terren është ende e njëjtë sepse nuk mund të bëjnë asgjë pa marrë pëlqimin e tyre”, deklaroi Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës. Ky veprim i ndërmarrë nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova është bërë për të pastruar shtratin e lumit dhe për të parandaluar fatkeqësitë në rast të vërshimeve.Megjithatë, aksioni u ndalua nga Ndërmarrja Publike “Pyjet e Maqedonisë” të cilët thonë se komuna nuk ka leje për transportim të druve, me çka drunjtë kanë mbetur të shpërndarë gjithandej në shtratin e lumit Shkumbin.Rasti është raportuar edhe në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë. TV KOHA