Site icon Tetova Expres

Abetarja e unifikuar nuk zbatohet në shkolla

Abetarja e unifikuar nuk gjeti zbatim në asnjë nga shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni, pavarësisht paralajamërimeve të bujshme të ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri se e njëjta do hyjë në përdorim nga viti shkollor 2022-23. Ndryshe nga deklaratat e mëparshme, ministri Shaqiri tash thotë se Abetarja e unifikuar është lejuar të bëhet pjesë e sistemit arsimor por duhet kaluar procedurat ligjore se si ky tekst të arrij falas tek të gjithë nxënësit.

“Abetarja e unifikuar është lejuar që të futet brenda sistemit tonë arsimor, do të thoja si vendim mund të përdoret si tekst shkollor. Brenda kohës e dini që kemi edhe tekstin për arsimin fillor dhe të mesëm I cili jep të gjitha procedurat e aprovimit dhe procedurat e furnizimit të teksteve të cilat mund të bëhen deri tek fëmijët, aty kemi diskutimin se si mund të futet që ky tekst shkollor të jetë falas për të gjithë nxënësit”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Profesori univeristar Xheladin Murati konsideron se nuk ka asnjë pengesë që Abetarja e unifikuar të përdoret në shkollat shqipe të Maqedonisë përveç fondit të ulët të orëve për këtë lëndë.

“Abetarja kombëtare në qoftë se zbatohet këtu e kanë vështirë ta realizojnë mësuesit sepse ajo në Shqipëri realizohet por atje i kanë nëntë orë gjuhë shqipe në javë, te ne kemi pesë orë. Me pesë orë nuk mund të realizohet abetarja kombëtare. Diçka kombëtare nuk ka pos fytyrës së Skënderbeut, asgjë nga trojet shqiptare nuk ka. Tetova përmendet në dy raste edhe Shkupi në dy raste, në dy faqe të abetares se abetarja përcillet edhe me fletore pune. Pak sa e vështirë, është e ngarkuar me material sepse fondi i orëve te ne nuk na përgjigjet ndërsa fondi në Shqipëri është tjetër fare. Mund të përdoret, nuk mund të realizohet tërësisht por shkronjat mund të zhvillohen”, u shpreh Xheladin Murati, profesor universitar.

Përveç Muratit, edhe njohësit e tjerë të gjuhës shqipe kanë vlerësuar se Abetarja e unifikuar duhet të jetë literaturë parësore për filloristët shqiptarë të Maqedonisë dhe jo libër shtesë. Përveç në Shqipëri, Abetarja e unifikuar tashmë gjen zbatim në Kosovë dhe Luginë të Preshevës.

Advertisement
Exit mobile version