8 Marsi dita e gruas, gjallëroi rrugët dhe sheshin e Shkupit. Shumë gra dhe vajza shiheshin me lule dhe dhurata në duar. Por a janë të kënaqura ato me pozitën e gruas sot, kur të dhënat statistikore të Entit të Statistikave tregojnë se numri i grave në pozita drejtuese është i vogël. Në vitin 2021 vetëm 19% ishin femra në poste udhëheqëse.
Shumë lule për 8 mars, por vetëm 19% në poste drejtuese
Statistikat tregojnë se gratë janë më pak aktive në tregun e punës. 59 për qind e grave të moshës 20-64 vjeç janë joaktive në këtë treg për shkak të përgjegjësive familjare krahasuar me 2,3 për qind të meshkujve. Sa i përket arsimit çdo vit e më shumë gra po regjistrohen në fakultete.
“Shkalla e punësimit të grave në Maqedoninë e Veriut në vitin 2021 ishte 38,3 për qind, përkatësisht 55,1 për qind e grave ishin ekonomikisht joaktive në krahasim me shkallën e pjesëmarrjes aktive të burrave në tregun e punës, e cila ishte 56,2 për qind, ndërsa shkalla e pasivitetit ishte 32,8. për qind”, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Gruas – 8 Marsi festohet në kujtim të protestës së punëtorëve të tekstilit në Nju Jork me kërkesë për të drejta më të mëdha, të mbajtur në 1857. Kombet e Bashkuara filluan ta festojnë këtë ditë në vitin 1975 dhe dy vjet më vonë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u bëri thirrje vendeve anëtare që të shpallin 8 Marsin si festë zyrtare të Organizatës Botërore kushtuar të drejtave të grave dhe paqes botërore.