Site icon Tetova Expres

Sot shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit

7 Marsi, njihet si festa e Mësuesit  dhe festohet në të gjitha shkollat dhe universitetet.

Është një ditë simbolike për të kujtuar e vlerësuar mësuesit për përkushtimin e tyre në mësimdhënie dhe në përgatitjen e brezave të ardhshëm.

Zanafilla e kësaj dite përkon me hapjen e mësonjëtores së parë shqipe, e cila u hap në Mars të vitit 1887 në Korçë, pikërisht në një kohë kur shqiptarët mësonin shqip fshehurazi në shtëpitë e tyre, për shkak të sundimit Osman.

Mësonjëtorja e Korçës ka qëndruar e hapur për të paktën 20 vite dhe drejtues të tij ishin figurat e shquara të Rilindjes shqiptare si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami e të tjerë.

Sot kjo traditë ka ndryshuar. Festa e mësuesit organizohet në shkollë, me koncerte dhe aktivitete të ndryshme. Edhe dhuratat janë më të larmishme, jo thjesht lule.

Advertisement

Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të dalluar shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit.

Edhe pse në kushte të vështira, kur ndalohej rreptësishtë mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet; u mbyll në vitin 1902, për t`u riçelë në vitin 1908. U mbyll përsëri në vitin 1912 dhe u çel pas pesë vjetësh në 1917-ën. Përkrahës të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Naum Naçi, Thoma Avrami, Familja Qiriazi etj.

Më 15 tetor 1891, Gjerasim Qiriazi së bashku me të motrën Sevasti Qiriazi hapën këtu edhe Mësonjëtoren e vajzave, baza e së cilës ishte gjithashtu gjuha shqipe dhe kultura kombëtare.

Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin, ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara.

Në shenjë nderimi, respekti dhe kujtimi për kontributin e Mësonjëtores së Korçës dhe mësuesve të saj, 7 Marsi është caktuar si Ditë e Mësuesit dhe e shkollës shqipe. Ndërtesa ku u hap kjo shkollë sot është muzeum kombëtar i arsimit.

Advertisement

 

Exit mobile version