Ministria bullgare e Punëve të Jashtme njoftoi se dje në takim është thirrur ambasadori i jashtëzakonshëm dhe i autorizuar i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Sofje për shkak të, siç theksohet “komenteve të paradokohshme publike të politikanëve nga vendi fqinj dhe deklaratave të rreme nga ana e tyre për Republikën e Bullgarisë”.
Në komunikatën nuk është precizuar për cilët politikanë dhe për cilët pohime ka të bëjë reagimi, por theksohet se Sofja “kategorikisht e kundërshton tentativën që Bullgaria dhe raportet dypalëshe të kyçen në debatin e brendshëm politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë edhe në kontekstin e fushatës aktuale zgjedhore”.
“Bullgaria vazhdimisht mban një ton konstruktiv dhe përmbahet nga komentimi i provokimeve të vazhdueshme në hapësirën publike të Maqedonisë së Veriut. Këtë e bën me mirëkuptimin se është e nevojshme të sigurohet një mjedis konstruktiv për mbarëvajtjen normale të procesit zgjedhor dhe një mjedis qetësie shoqërore në mënyrë që të mund të zbatohen reformat e nevojshme. Fatkeqësisht, është e qartë se këto përpjekje të Bullgarisë nuk janë kuptuar dhe vlerësuar nga faktorë të caktuar në Shkup, të cilët vazhdojnë ta përdorin vendin tonë si justifikim për mungesën e progresit para qytetarëve të tyre”, thuhet në njoftim.
Në të, MPJ-ja bullgare edhe një herë e fton elitën politike në Maqedoninë e Veriut që ta tregojë pjekurinë e nevojshme politike që të japë kontribut konstruktiv në zbatimin e detyrimeve politike të ndërmarra në kuadër të kompromisiti nga viti 2022 dhe ta respektojë me përpikmëri Marrëveshjen për fqinjësi të mirë nga viti 2017″.
“Kjo është mundësia e vetme që të arrihet progresi i vërtetë në procesin e integrimit evropian të vendit për të mirën e qytetarëve të saj”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.