Prokuroria Themelore Publike Manastir ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj personit për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale – Vjedhje nga neni 237 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
“Më 8 shkurt, i dyshuari ka hyrë i maskuar në një filial të basteve sportive në rrugën “Ohridska” në Manastir dhe e ka kanosur me thikë punonjësen duke kërkuar që ajo t’i japë paratë. Punonjësja është tërhequr nga frika, pas së cilës i dyshuari ka hyrë në arkë, nga sirtari ka marrë 65.000 denarë dhe ka ikur”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Manastir propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin. Gjykata e pranoi propozimin dhe i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.