Zëvendësimi i dokumenteve të vjetra me të reja me emrin “Maqedonia e Veriut” krijoi një sërë kokëdhimbjesh për qytetarët. Pas indikacioneve se një numër i madh i qytetarëve nuk do të mund të zëvendësojnë dokumentet e tyre në kohë para zgjedhjeve të pranverës, u ngrit dilema se a do të mund të votojnë me dokumentet e vjetra, të cilat nuk kanë skaduar. Për të tejkaluar problemin, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i dërgoi Kuvendit propozim për futjen e një dispozite kalimtare në Kodin Zgjedhor, e cila do të lejojë votën në këto zgjedhje me dokumentet e vjetra të vlefshme, raporton DW.
“Kemi bërë propozim në Kuvend – të bëhet një ndryshim në Kodin Zgjedhor, në të cilin do të ketë një dispozitë kalimtare vetëm për këto zgjedhje, që të vlejnë edhe dokumentet e vjetra të vlefshme që të votojnë të gjithë qytetarët. “A do të miratohet apo jo, varet nga Kuvendi”, thotë kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.
Vendim për votuesit e rritur
Qytetarët përballen me probleme dhe paqartësi të shumta nëse do të mund të votojnë në zgjedhjet e pranverës, nëse nuk arrijnë të zëvendësojnë dokumentet në kohë. Problem ka edhe një pjesë e qytetarëve që kanë mbushur 18 ose ndërkohë do të mbushin 18 vjeç dhe nuk kanë letërnjoftim apo pasaportë.
Dashtevski thotë se personat që mbushin 18 vjeç do të mund të regjistrohen për t’u përfshirë në Listën Zgjedhore. “Për të rriturit është gjetur një zgjidhje dhe dihet saktësisht me ligj se kur mund të regjistrohen”, thotë ai.
Avokati i Popullit Naser Ziberi në një konferencë për media këto ditë ka treguar se do të vihet në pikëpyetje e drejta e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje, e cila është e garantuar me Kushtetutë.
“Disa nga ata persona kanë dokument udhëtimi, por fatkeqësisht me formular të vjetër, që do të thotë se sipas rregullores ekzistuese ato dokumente janë të pavlefshme për pjesëmarrje në procesin zgjedhor”, tha Ziberi.
Nëse Qeveria nuk merr diçka, sipas tij, shumë qytetarë mund të futen në një situatë kaq delikate. Prandaj kërkohet që të marrin me prioritet dokumentet e reja.
Problem është edhe moszbatimi i nenit 7 të Ligjit për Letërnjoftimet, i cili specifikon se shtetasit mbi 65 vjeç duhet të pajisen me letërnjoftim me vlefshmëri të përhershme. Në vend të kësaj, Ministria e Brendshme vazhdon të lëshojë dokumente të vlefshme për 10 vjet. Ziberi konsideron se duhet të zbatohet ky nen, i cili do të kontribuojë në uljen e presionit për ndryshimin e dokumenteve personale.