Site icon Tetova Expres

Seancë solemne me rastin e shënimit të ditës së Komunës së Tetovës

Më 3 mars të vitit 1991, u formua këshilli i parë komunal shumëpartiak i komunës së Tetovës, duke i hapur rrugë kështu përfaqësimit qytetar në institucionet lokale .Tre Marsi është një ditë shumë e rëndësishme për qytetarët e Tetovës. Kështu tha kryetari i komunës së Tetovës Bilall Bilall Kasami, në shënimin e ditës së komunës së Tetovës. Kasami më tej u ndal edhe në projektet që janë realizuar në komunën që drejton ai.

“Viti 2023, është viti i realizimit të shumë projekteve madhore jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në arsim, kulturë dhe në sferat tjera. Për një vit janë bërë shumë punë, por do të ndalemi vetëm tek projektet më madhore duke nisur me rikonstruimin e rrugës në fshatin Vicë një segment shumë i rëndësishëm për banorët e malësisë, pastaj hapja e bulevardit ‘Bllagoja Toska’, e cila për vite të tëra ishte lënë në harresë dhe për një vit ne arritëm ta përfundojmë tërësisht. Një projekt tjetër që i takon infrastrukturës është vazhdimi i bulevardit ‘Vidoja Smilevski Bato’, që depërton deri në fshatin Poroj dhe ky bulevard këtë vit do të jetë i përfunduar dhe në shërbim të qytetarëve”, deklaroi kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.

Ai është ndalur edhe tek projekti më i madh që është duhet të realizohet në komunën e Tetovës.

“Investimet në infrastrukturën rrugore, instalimet nëntokësore dhe rregullimi i kanalizimeve fekale e atmosferike konfirmojnë përkushtimin dhe angazhimin tonë. Përfituam projektin për ndërtimin e kanalizimit fekal në fshatrat Poroj, Xhepçisht, Reçicë e Vogël dhe Reçicë e Madhe, Falishtë si dhe një pjesë të qytetit një projekt që arrin në 40 milion euro mjete të siguruara nga institucionet ndërkombëtare si dhe shumë projekte të tjera infrastrukturore. Gjatë vitit 2023 brenda kësaj periudhe kemi investuar në përmirësimin e kushteve për mbarëvajtje të procesit mësimor me të gjitha parametrat dhe standardet që i nënkupton mësimi modern dhe kualitativ. Shumë klube dhe sportistë kanë marr mbështetjen e komunës për të realizuar projektet e tyre në afirmimin e vlerave sportive tek të rinjtë tanë”, theksoi Kasami.

Ai është shprehur se sot kemi një komunë të konsoliduar, transparente, të zhvilluar, të hapur për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe religjioze. “Tashmë hyjmë në një fazë të re, në një periudhë ku ne duhet të gjithë së bashku të angazhohemi dhe të jemi më të përkushtuar për të ndryshuar një herë e përgjithmonë pamjen e Tetovës, ta bëjmë një qytet më bashkëkohor me kushte më solide dhe më të sigurt për të gjithë ne”, nënvizoi Kasami.

Advertisement

Me këtë rast, në seancën solemne, janë ndarë edhe mirënjohje për veteranët e arsimit, për nxënësit më të dalluar, sportistët, klubet si dhe personalitete të ndryshme që kanë kontribuar në afirmimin e komunës së Tetovës.Tetova Expres

Exit mobile version