Të akuzuarit e Grupit të Kumanovës, përmes avokatëve mbrojtës, kanë bërë kërkesë për transferim nëpër burgjet e Kosovës, për ta vuajtur pjesën e mbetur të dënimit të tyre.
“Nga brenda burgut kanë bërë kërkesë për transfer për mbajtjen e dënimit në shtetin e tyre amë. Gjithashtu edhe avokatët mbrojtës janë drejtuar deri te Ministria e Drejtësisë si organ kompetent që merret me këtë çështje që të bëjë transferin e këtyre të dënuarve në shtetin e tyre amë”, ka thënë avokati Ibrahim Bajrami.
Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Krenar Lloga, tha se për t`u bërë transferimi i grupit, duhet që në Kosovë të jenë valide të njëjtat vendime gjyqësore që janë bërë në Maqedoni.
“Janë mbi 10 hapa që të vije deri te nënshkrimi i transferit të burgosurve nga Grupi i Kumanovës. Njëri prej atyre hapave është që organet gjyqësore të Kosovës t’i pranojnë me ç’rast duhet të validohen të njëjtat vendime gjyqësore që janë bërë në Maqedoni të bëhen edhe atje. Ky hap, kur kam folur në atë kohë, është hapur dhe tani do të shohim institucionet se si do të rrjedhin procedurat gjyqësore, sepse janë hapa që nuk lidhen vetëm me Ministrinë e Drejtësisë por lidhen edhe me organet gjyqësore, edhe me ambasadat edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme”, ka thënë Lloga.
Për ngjarjet e Kumanovës të vitit 2015, Gjykata Themelore e Shkupit, në vitin 2017, nën akuzën për terrorizëm, i dënoi me gjithsejt 746 vjet burgim, 37 pjesëtarë të këtij grupi.