Site icon Tetova Expres

Kaos në rrugën Shkup-Bllacë, kolona të gjata për shkak të punimeve në tunel

Kolona të gjata të pritjes. Sirena, nervozizëm! Pak kilometra sa kalon kufirin e Bllacës, duhet të presësh sërish radhën përgjatë rrugës që të shpie drejt Shkupit. Problem i madh në pik të sezonit veror u bë një tunel ku është bllokuar një korsi e lëvizjes për shkak të punimeve që po zhvillohen. Por, pavarësisht se 3 gushti është ditë pune, siç duket jo edhe për nënkotraktorin e Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”. Aty nuk ka asnjë punëtor dhe asnjë makineri prej një kohe të gjatë. Tani e gjashtë muaj janë ngritur skelet, asfalti është gërryer dhe një pjesë e murit e lënë përgjysmë e lyer.

“Makina të shumta në të dyja akset e rrugës nga Bllaca që të shpie për në Shkup dhe anasjelltas ka shkaktuar nervozizëm, sidomos në pikun e sezonit ku frekuentimi i makinave është mjaft i shtuar. Në këtë aks rrugor, shkak u bë punimet në këtë tunel, i cili për muaj të tërë nuk është sanuar dhe po shkakton pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve”, raporton Adnan Qaili, gazetar.

Shoferët shprehen të revoltuar që koha e çmuar e tyre u humbet në pritje të kotë në kolona. Kryesisht folën mërgimtarët, të cilët krahasojnë se sa shpejtë do të ishin kryer punimet në vendet e Perëndimit.

“Na kemi pritur gjithmonë, jemi të mësuar të presim! Nuk ja vlen tani, sidomos në kohën e pushimeve kjo të ndodh. Këto punë bëhen si në Zvicër dhe shtetet tjera të perëndimit, por zakonisht punohet kur nuk ka qarkullim të veturave. Atje punohet gjatë natës me intensitet të shtuar, por jo tani në kohën kur gjithë mërgimtarët janë këtu, ky kaos të ndodh!”.

“Po besoj se ky tunel ndoshta për një muaj ishte përfunduar edhe po të ndërtohet nga fillimi”.

Advertisement

“Ky tunel për 1-2 javë maksimumi është dashur të kryhet! Por, problemi është që nuk është dashur të niset tani. Kur të kthehet gurbetçarët atëherë të punohet e jo në kohën e pushimeve, ky është problemi”.

Në muajt e verës kur edhe ka shumë dasma, një e tillë rastisi edhe sot. Kolona e gjatë e krushqve që nga Kosova vinin në Maqedoni, u ndal përgjysmë shkaku i pritjes në semafor. Por nuk mungoi as vallëzimi!

Informacionet zyrtare që morëm nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” janë që punimet herë pas here kanë shkaktuar ndalesë të qarkullimit të makinave në aksin rrugorë Shkup-Bllacë. Që nga muaji tetor 2022, e deri më tani janë bërë tri ndërprerje të korsive, sikurse gjatë punimeve në dy rreth rrotullimet që tani më janë në funksion. Zbatues i punimeve është kompania e ndërtimit “Granit” Shkup, e cila thotë se sanimet në tunel kanë nisur nga muaji mars dhe nuk dihet edhe sa do të zgjasin. /Alsat.mk

Exit mobile version