Site icon Tetova Expres

Grubi: Për të ardhmen evropiane, jemi të gatshëm të heqim dorë nga kryeministri shqiptar

Zv. kryeministri, Artan Grubi deklaron se vendimi për dorëheqje të ministrave nga radhët e BDI-së janë në funksion të integrimeve të Maqedonisë së Veriut në BE.

Grubi deklaroi se me vendimin për deponim të dorëheqjeve nga ana e ministrave, BDI ia hapi rrugën opozitës maqedonase të votojë “për” ndryshimet kushtetuese.

Grubi tha se me vendimin të cilin dje e kumtoi lideri partiak, Ali Ahmeti, BDI heqë dorë edhe nga premtimi i dhënë në zgjedhjet e fundit parlamentare për kryeministër shqiptar në Maqedoni të Veriut, dhe atë e bën “për të mirën e qytetarëve dhe në dobi të integrimit në BE”.

“Nëse ne shkojmë në opozitë, me ç’rast opozita do t’i votonte ndryshimet kushtetuese, për çka nevojiten dy të tretat në Kuvend, ne kemi thënë se për të ardhmen e vendit tonë jemi të gatshëm të heqim dorë edhe nga qeveria e përkohshme edhe nga kryeministri shqiptar edhe nga mandatet tona. Nga gjithçka që është marrëveshje politike e koalicionit, ne heqim dorë, nën kushtin që opozita maqedonase t’i votojë ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Grubi për “T7”.

Anëtari i kryesisë së BDI-së përkujtoi se kusht i liderit të VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristian Mickoski që ajo parti të votojë për përfshirje të pakicës bullare në Kushtetutën e vendit ishte “dalja e BDI-së dhe shqiptarëve nga qeveria e vendit dhe formimi i një qeverie monoetnike” mes VMRO-së dhe LSDM-së.

Advertisement

“Është e ditur se para dy muajve pati takim mes kryeministrit (Dimitar) Kovaçevski dhe liderit opozitar, Mickoski, me ç’rast Mickoski theksoi se kusht i vetëm i VMRO-së opozitare për t’i votuar ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për vazhdimin e rrugës sonë evropiane, është dalja e BDI-së dhe shqiptarëve nga qeveria e vendit dhe formimi i një qeverie monoetnike i dy partive kryesore maqedonase, VMRO-së dhe LSDM-së. Do të thotë, opozitës nuk i pengon prëfshirja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës, nuk i pengon asgjë tjetër, por i pengon shqiptarët të jenë në qeveri dhe i pengon barazia mes maqedonaseve dhe shqiptarëve”, tha Grubi.

Vendimi për dorëheqjet e ministrave, shtoi zëvendëskryeministri i parë, nuk është i papritur, sepse “përcaktim i Ahmeti dhe i BDI-së për integrim të plotë të Maqedonisë së Veriut në BE nuk është i sotëm, nuk është i djeshëm, por është aktual që nga themelimi i partisë”.

Exit mobile version