Bashkëpunimi ka ndodhur thjesht për t’i garantuar Afrim Gashit mandat deputeti, këtë e tha Arjanit Hoxha në “Summer Click”, mes tjerash në kritikat e tij për bashkëpunimin mes Lëvizjes Besa dhe Alternativës.
Hoxha tha se në këta dy parti edhe përkundër memorandumit të bashkëpunimit ende ka njerëz që nuk flasin mes vete.
“Ndarja mes Besës dhe Alternativës nuk ka qenë ndarje e lehtë. Ka qenë ndarje me uzurpim të selisë, marrje të selisë, akuza të niveleve më të ndryshme, me atë që grupimi i Alternativës nuk ka lënë gjë pa akuzuar, ka qenë një ndarje që ishte e dhimbshme për të gjithë aktivistët dhe ju tash mbylleni brenda 4 mureve të Kuvendit, pa i elaboruar njerëzve.
Edhe sot e kësaj dite, pas nënshkrimit të atij memorandumi, ka njerëz brenda Alternativës dhe Besës që nuk flasin”, tha Hoxha.
Hoxha një nga arsyet e largimit nga Besa ishte sepse po grumbulloheshin grupe politike, që siç tha ai, nuk kanë kauzë, ide dhe platformë.
“Për fat të keq, momenti kur ndodhi ajo afërsia, apo nënshkrimi i një deklarate bashkë me partinë Alternativa, filluan menjëherë të zbehen pritshmërit e njerëzve që donin të kyçeshin në Lëvizjen Besa. Grupi i Zjarrit. Grupi i Zjarrit nuk kanë pasur një ide të qartë që në fillim se çka duan në esencë dhe çka adresojnë para publikut. Ndodhi që prej atij grupimi politik apo fraksioni, në fund shkëputet vetëm një nga eksponentët dhe paralajmëron subjekt të ri politik, dhe në atë moment kur ju e dini, Grupi i Zjarrit bënte tubime pompoze në salla të mëdha në Çair e Saraj, dhe në fund erdhi që paralajmërimin e partisë ta bëjë me një grumbull të vogël njerëzish në sallën komunale të Çairit”, tha mes tjerash Hoxha.