Polarizimi i skenës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut shpeshherë është komentuar si i dëmshëm për realizimin e qëllimeve kombëtare shqiptare. Parti të vogla të cilat janë shkëputur nga subjektet më të mëdha, gjithmonë kanë pasur problemin e mbijetesës dhe kjo është sfidë për çdo subjekt politik në këtë vend. I tillë është edhe sistemi zgjedhor, i cili i eliminon të vegjlit dhe kryesisht i favorizon partitë më të mëdha, shkruan “Zhurnal.mk”.
Themelimi i një lëvizje të re politike nga ish-nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti ka shkaktuar tronditje në skenën politike dhe aktualisht të gjitha dilemat janë se si do të pozicionohet ky subjekt. Mexhiti paraprakisht ka njoftuar se do të mundohet të krijojë një front të përbashkët opozitar dhe në këtë mënyrë të mbledhin të gjithë qytetarët e pakënaqur me pushtetin e tanishëm. Ai e di qartë se nëse mundohet të funksionojë i vetëm, do ta ketë të vështirë të ngjitet lartë në skenën politike, sepse modeli i tanishëm zgjedhor nuk i favorizon partitë politike më të vogla.
Por, bashkimi i shqiptarëve në fronte të përbashkëta nuk është edhe i lehtë, sepse ambiciet e secilit janë shumë të larta. Çdokush e sheh veten më i madh se tjetri, dhe kur vjen fundi, dështimi është më i idhët se inatet politike.
Në historinë e deritanishme të sistemit politik, në bllokun shqiptarë janë krijuar shumë subjekte të vogla politike, por të gjitha kanë dështuar, në momentin kur është dashur të bashkohen e të bëjnë një bllok të fuqishëm opozitar. Nëse shkohet në zgjedhjet e ardhshme si i vetëm, gjasat për dështim janë shumë më të mëdha.
Kjo është si fjala popullore “delja që ndahet nga kopeja e ha ujku”, e për të mos ndodhur kjo, subjektet politike shqiptare duhet të bashkohen në dy blloqe të mëdha. Çdo polarizim më i madh se dy blloqe politike është i dëmshëm dhe i dobët karshi çdo iniciative për mbrojtje të interesave kombëtare shqiptare, shkruan “Zhurnal.mk”
Thuajse në të gjithë botën demokratike, funksionojnë dy blloqe më të mëdha politike, qoftë në SHBA, qoftë në Evropë, apo qoftë edhe tek pala maqedonase, ku elektorati është i ndarë në dy blloqe, të majtë dhe të djathtë. Edhe pse ka parti të vogla të cilat sigurisht që formohen për shkak të pakënaqësive që ndodhin nga të dyja blloqet politike, në fund të gjithë duke qenë të vetëdijshëm se të përçarë do të humbnin më shumë, arrijnë të formojnë koalicione parazgjedhore, dhe në këtë mënyrë i bashkojnë votat dhe dalin fitues në zgjedhje.
Ky lloj i funksionimit duhet të bëhet leksion edhe për partitë politike shqiptare, të cilat pavarësisht pakënaqësive ose interesave të ngushta, sërish duhet të bashkohen dhe në zgjedhje të dalin si dy blloqe. Pastaj, kush është më i miri, kujt ia beson mandatin populli, ai duhet të udhëheqë me pushtetin në katër vitet e ardhshme.
Kur të jenë dy blloqe të mëdha politike shqiptare, atëherë kjo është e mirë edhe për pushtetin, sepse nuk e lejon të gabojë, nuk e lejon të zhytet thellë në korrupsion ose në manipulime tjera, sepse frikësohet se çdo lëvizje politike mund t’i kushtojë shtrenjtë pushtetit. Edhe për qytetarët është më shume se e dobishme kur ka dy blloqe të partive të mëdha politike, sepse ata nuk mbesin të defokusuar se tek kush duhet të shkojnë e të votojnë. Të gjithë ata që janë të pakënaqur me pushtetin do të orientohen te opozita, dhe të gjithë ata që konsiderojnë se pushteti ka vizion, punon siç duhet dhe i mbron interesat e qytetarëve, atëherë do mbështesin qeverinë, shkruan “Zhurnal.mk”.
Përveç bashkimit të subjekteve politike në dy blloqe, është e nevojshme që partitë politike të garojnë me programe të mirëfillta politike dhe jo me llafe boshe. Deri më tani, thuajse asnjëri subjekt politik nuk ka pasur një profilizim të qartë të programit zgjedhor, sepse më shumë ka mbisunduar folklori politik se sa projektet konkrete.
Andaj, është e rëndësishme që pas më shumë se tridhjetë viteve demokraci, subjektet shqiptare të dinë të ndajnë “shapin nga sheqeri”, ose thënë ndryshe “të dinë të ndajnë interesat kombëtare, nga interesat personale” dhe në këtë formë të zhvillojnë një garë të shëndoshë politike, me programe të caktuara dhe me ide të qarta se si e shohin të ardhmen. Shqiptarët kanë më shumë se kur nevojë që të bashkohen, përndryshe, nëse shkojnë të përçarë mund të vijë edhe deri te përçarja e votave dhe partitë maqedonase të fitojnë më shumë se 61 deputetë, e në këtë mënyrë do t’i humbë vlera e votës shqiptarëve dhe funksionimi i tyre në qeveri do të jetë sa për sy e faqe. Andaj është e rëndësishme që vetëm të bashkuar dhe me qëllime të qarta politike të ecin përpara drejt realizimeve të idealeve për barazi mes bashkësive etnike dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkruan “Zhurnal.mk”.