SHBA-të nuk do të arrestojnë asnjë nga lista e zezë, por u takon institucioneve vendase që të ndërmarrin hapa kundër korrupsionit. Kjo ishte porosia e ambasadores amerikane në Shkup, Angela Price Aggeler një dit pasi Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi biznesmenin Jordan Orce Kamçevin në listën e zezë. Aggeler ishte e qartë dhe e drejtpërdrejt ndaj organeve ligj zbatuese: korrupsioni nuk guxon të mos hetohet dhe ndëshkohet.
“Qytetarët meritojnë institucione të cilat i ndjekin vlerat demokratike, me transparencë dhe pa kompromis. Që Maqedonia e Veriut të ketë suksese në rrugën e saj dhe të arrijë qëllimin e prosperitetit dhe anëtarësimit në BE, korrupsioni nuk mund të mos hetohet mbi bazën e këtij demonstrimi të dalë nga vendimi i DASH. Shkelja e ligjit, pastrimi i parave, ryshfet dhe gjithçka tjetër që ka bërë Jordan Orce Kamçev, jo vetëm që kanë cenuar besimin e publikut në institucionet gjyqësore por gjithashtu kanë shqetësuar edhe qytetarët e këtij vendi”, deklaroi Angela Aggeler, Ambasadore e SHBA-ve në Shkup.
E pyetur mbi mosveprimin e institucioneve në rastin me kreun e Komunës së Strugës, Ramiz Merko i cili gjithashtu bashkë me familjen e tij u vendos në listën e zezë, Aggeler tha se institucionet vendase nuk mund të presin që SHBA-të të arrestojnë dikë ose hetoj dikë në Maqedoni të Veriut. Lidhur me masat e BDI-së ndaj Merkos, shefja e diplomacisë Amerikane në vendin tonë tha se pret zhvillime interesante duke aluduar në vendimet e institucioneve ligj zbatuese që pritet të ndërmerren në të ardhmen.
“Ne punojmë me institucionet këtu që rastet e tilla të marrin formë dhe zhvillohen. Si dhe nëse ndonjëherë ata vendosin të ndërmarrin hapa, u takon autoriteteve këtu. Këta njerëz kanë lënduar qytetarët e këtij vendi. Aktivitetet korruptive kanë dëmtuar qytetarët e këtij vendi. Është dëshirë e imja që ju dhe gazetarët nga Amerika pse jo t’i ndiqni këto raste dhe të parashtroni pyetje të vështira ndaj atyre që janë autoritet këtu. Ne nuk do të vijmë dhe të arrestojmë dikë në Maqedoni të Veriut apo të hapim ndonjë rast ilegal. Por duket se po bëhet interesant në drejtim të asaj se çfarë hapa do të ndërmarrin autoritetet vendase”, tha Angela Aggeler, Ambasadore e SHBA-ve në Shkup.
Aggeler kujtoi se ekipi special i anti-korrupsionit nuk ka mbaruar misionin në Maqedoni të Veriut. Sipas saj, varësisht nevojës dhe vlerësimeve që ka administrata amerikane, ekipi do të viziton Shkupin dhe mbledh dëshmi të mjaftueshme materiale të nevojshme që Uashingtoni të ndërmerr hapa konkret. /Alsat.mk