Deputetët e shumicës parlamentare dje pasdite i kanë miratuar ndryshimet ligjore me të cilat kamatat nuk do të mund të jenë më të larta se borxhi, njofton Portalb.mk.
Me ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie obligative dhe Ligjit për përmbarim, kamata ndëshkuese nuk do të mund të jetë më e lartë se borxhi. Plotësisht, shkurtohet edhe afati për vjetërsim nga 10 në 5 vjet nga vendimi i plotfuqishëm.
Kështu, në mënyrë drastike zvogëlohen shpenzimet e përgjithshme për kredi të shpejta, të cilat nuk mund të jenë më të larta se 60% nga kredia, ndërkaq i jepet fund edhe praktikës me të cilën për 10.000 denarë kredi të shpejtë, qytetarët kanë kthyer edhe nga 70.000 denarë.
“Përfundimisht e ndalojmë praktikën që qytetarët të paguajnë 10 herë vlera më të larta se sa me të vërtetë kanë pasur borxh. Për fat të keq, deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Levicës nuk votuan për këto ndryshime ligjore me çka edhe njëherë e dëshmuan jointeresimin e tyre për nevojat e qytetarëve”, thanë nga LSDM.
Këto ndryshime ligjore do të vlejnë edhe për procedurat e përmbarimit të cilat vijojnë.
Ndryshimet i ka kërkuar Avokati i Popullit gjatë viteve të fundit, ndërkaq në Kuvend i dorëzoi LSDM, gjegjësisht deputeti Jovan Mitreski.
Përveç kësaj, ligjet aktuale prej 10 vjet vjetërsim u kanë dhënë mundësi përmbaruesve që të manipulojnë me përmbarimin dhe ta zvarrisin, ndërkaq qytetari borxhli të obligohet që në fund të paguajë shumë të lartë për kamata. Me ndryshimet ligjore, ai afat i vjetërsimit shkurtohet për 5 vjet.