Site icon Tetova Expres

Vendi ka forca progresive, Sofja nuk ka kushte të reja për Shkupin!

Lawmakers wave Macedonian and EU flags after voting in the Parliament building in Skopje, on July 16, 2022. The Parliament of North Macedonia voted the conclusions reauthorizing the Government to accept the EU accession Negotiation Framework proposed by the French Presidency with the Council of EU. (Photo by Robert ATANASOVSKI / AFP)

Pas shefave të diplomacisë nga Austria, Republika Çeke dhe Sllovakia, një trojkë tjetër ministrore nga Franca, Gjermania dhe Polonia, do të vijë në Maqedoninë e Veriut për të shpjeguar rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese për vazhdimin e rrugës evropiane.

Sipas shefit të diplomacisë – Bujar Osmani, më e rëndësishmja është prania e diplomatit francez, i cili do t’i interpretonte qartë të gjitha dispozitat e Kornizës negociuese, për të cilat ka dilema, përkatësisht frikë se Maqedonia e Veriut do të nënshtrohet ndaj kushteve të reja nga pala bullgare, shkruan PRESSonline.al

Debati do të sjellë mbështetje

Kryediplomati Bujar Osmani pret që të sigurojë mbështetjen e dy të tretave për ndryshimet kushtetuese pasi të fillojë debati për to, kur opinioni edhe deputetët do të binden se nuk ka asgjë të diskutueshme nëse komuniteteve ekzistuese i shtohen edhe kroatët, malazezët, bullgarët dhe komunitetet e tjera etnike në Preambulën e Kushtetutës, pasi siç tha ai, të gjitha bashkë e pasqyrojnë karakterin multietnik të shtetit.

“Mendoj se debati do ta sqarojë këtë dilemë. Le të fillojë debati. Le të dërgohen amendamentet në parlament dhe deputetët t’i marrin bardh e zi, në letër. Dhe do të shihni se në cilin drejtim do të zhvillohet debati. Pres që edhe opozita të mbështesë ndryshimet kushtetuese. Nëse opozita nuk i mbështet, ne do të punojmë individualisht me çdo deputet”, njoftoi kreu i diplomacisë, përcjell PRESSonline.al
Nëse procesi dështon, sipas ministrit Osmani, nëpër libra do të shkruhet e mësohet se kush është “meritori” për izolimin e shtetit.
“Nëse nuk funksionon, imazhi në Parlament, nga monitori me butonat jeshil dhe të kuq, ndoshta do të mësojmë nga librat – kush e izoloi vendin”, ka deklaruar ministri i Jashtëm.

Advertisement

Ai theksoi se nuk ka rrugë tjetër përveç asaj evropiane dhe se të gjitha debatet duhet të jenë të arsyeshme.

Sofja nuk ka kushte të reja për Shkupin

Bullgaria nuk ka kushte të reja ndaj Maqedonisë së Veriut. Përkundrazi, ajo sinqerisht dëshiron të shohë fqinjin e saj duke avancuar drejt anëtarësimit të plotë, përmes sukseseve në procesin e reformave dhe përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore.

Ky është qëndrimi i Ministrisë së Jashtme bullgare të publikuar pas, siç thonë ata, shumë pyetjeve nga mediat lidhur me natyrën e kompromisit evropian të arritur në vitin 2022 mes dy vendeve.

“Bullgaria nuk ka kushte të reja ndaj Maqedonisë së Veriut. Përkundrazi, ajo sinqerisht dëshiron të shohë fqinjin e saj duke avancuar drejt anëtarësimit të plotë, përmes sukseseve në procesin e reformave dhe përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne presim hapin e parë në këtë proces, sipas zotimeve të nënshkruara nga Shkupi në korrik 2022 – “…hyrja në fuqi e ndryshimeve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut për qytetarët që jetojnë në territorin e këtij vendi dhe janë pjesë e kombeve të tjera, siç është populli bullgar, sipas procedurave të brendshme”, thuhet në deklaratën e MPJ-së bullgare, përcjell PRESSonline.al

Advertisement

Ali Ahmeti: Vendi ka forca progresive

Diferencimi në vijën e një fronti pro-evropian është i dukshëm edhe në njoftimin e BDI-së pas takimit të liderit të partisë Ali Ahmeti me ministrat e Punëve të Jashtme të Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë. Në takim u diskutua për domosdoshmërinë e miratimit të amendamenteve kushtetuese, ecurinë e procesit të shqyrtimit, sfidat e reformimit të vendit në frymën evropiane dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit lokal dhe rajonal.

Siç thuhet në njoftim, Ahmeti i ka njoftuar diplomatët për përkushtimin dhe planin e koalicionit qeveritar për hapjen e rrugës së sigurt drejt horizontit të Evropës, për iniciativën për krijimin e një fronti të fuqishëm evropian që do të udhëheqë me sukses procesin jetik të miratimit të ndryshimeve kushtetutese, të cilat nuk duhen kuptuar vetëm si kusht për zhbllokimin e rrugës europiane, por edhe si mekanizëm për forcimin e kapaciteteve demokratike të vendit.

Ahmeti theksoi se vendi ka forca progresive që kujdesen për ruajtjen e orientimit pro-evropian të vendit, të përkushtuara në finalizimin e procesit të shqyrtimit, duke synuar pikat kyçe të veprimit reformues në frymën evropiane dhe duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet institucionale për tejkalimin me sukses të sfidave”, thuhet në deklaratën nga BDI.(PRESSonline.al)

Advertisement
Exit mobile version