Nga 164 inspektime të kryera, kryesisht në aktivitete ku ekspozimi ndaj energjisë termike është më i madhi, te 30 punëdhënësit është lëshuar vendim me të cilin u ndalohet kryerja e veprimtarisë, informoi sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska.
Ajo gjatë vizitës së sotme në kopshtin e fëmijëve “Koço Racin” në kuadër të fushatës “Vakt i shëndetshëm për çdo fëmijë”, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, tha se për shkak të masave dhe rekomandimeve të reja të qeverisë për mbrojtjen e qytetarëve nga temperaturat e larta në ditët e fundit, Inspektorati Shtetëror i Punës ka qenë vazhdimisht në teren, ku nga numri i përgjithshëm i inspektimeve, 30 punëdhënësve iu është ndaluar kryerja e punës.
Për shkak të valës së të nxehtit që e përfshiu vendin, Qeveria mori vendim që gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç të lirohen nga puna, në instëtucionet për përkujdesin e fëmijëve nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe të mos nxirren fëmijët jashtë mes orës 11:00 dhe 17:00, ndërsa Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit për të ofruar ndihmë për njerëzit e vetmuar, të moshuar, të pafuqishëm dhe të pastrehë.
“Autoritetet shtetërore, ndërmarrjet dhe institucionet publike t’i respektojnë rekomandimet. Të gjithë personat juridikë që kryejnë veprimtari në natyrë, t’i ndërprerjnë aktivitetet në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00, e kjo veçanërisht vlen për punën e punëtorëve të ndërtimtarisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.