Site icon Tetova Expres

Hyri në fuqi Vendimi i BE-së për ndihmë makrofinanciare për vendin tonë

Ka hyrë në fuqi vendimi i BE-së për të ofruar ndihmë makrofinanciare për Maqedoninë e Veriut në vlerë deri në 100 milionë euro për t’u përballur me pasojat e shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës, pasi u publikua sot zyrtarisht në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Vendimi, të cilin Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme (GAK) të Unionit e miratoi unanimisht të hënën e kaluar, u nënshkrua nga Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola dhe nga Sekretari spanjoll i Shtetit për Bashkimin Evropian, Paskual Navaro Rios, në emër të Kryetarit të Këshillit të BE-së Sharl Mishell.

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së (GAK) miratoi vendimin në takimin e tij në Bruksel të hënën e kaluar me 27 vota pro dhe asnjë kundër ose abstenim. Vendimi, i cili u miratua nga Komisioni Evropian më 6 shkurt të këtij viti, paraprakisht u miratua nga Parlamenti Evropian më 13 qershor dhe më 5 korrik nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare në Bashkimin Evropian. (KOREPER).

Në vendim thuhet se ekonomia e vendit, e cila filloi negociatat e anëtarësimit me BE-në më 19 korrik të vitit 2022, është prekur ndjeshëm nga recesioni i vitit 2020 si pasojë e pandemisë së Kovid-it, si dhe nga kriza energjetike e shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, që kontribuoi në rritjen e nevojave fiskale.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka treguar një përkushtim të fortë për zbatimin e reformave të mëtejshme, duke u fokusuar në fushat kyçe të politikave të identifikuara në Konkluzionet e Përbashkëta të Dialogut Ekonomik dhe Financiar ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë të 24 majit të vitit 2022, duke përfshirë reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit”, citohet në dokument.

Advertisement

Siç njofton raportuesi special i MIA-s nga Brukseli, Komisioni Evropian thekson se vendi ka operacionalizuar me sukses ndihmën makro-financiare për tejkalimin e pasojave të pandemisë së KOVID-19, duke zbatuar “të gjitha aktivitetet reformuese të dakorduara me Bashkimin Evropian në Memorandumin e Mirëkuptimit”.

Gjithashtu, në Vendim citohet se, prillin e kaluar vendi arriti një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një program 24-mujor të likuiditetit deri në 530 milionë euro, i cili u miratua zyrtarisht nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së më 22 nëntor të vitit  2022, për të zbutur pasojat e ndikimeve të jashtme, për të mbështetur konsolidimin fiskal dhe për të përshpejtuar reformat strukturore në disa fusha, duke përfshirë politikën tatimore dhe investimet publike.

Në Vendim citohet se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka rinovuar kërkesën për ndihmë makrofinanciare në tetor të vitit 2022.

Duke pasur parasysh se vendi është kandidat për anëtarësim dhe ka nisur negociatat e anëtarësimit, KE vlerëson se ka të drejtë të marrë ndihmë makrofinanciare nga Bashkimi Evropian si “një instrument financiar i jashtëzakonshëm për të mbështetur bilancin e pagesave, i cili synon të përgjigjet ndaj nevojave urgjente për financim të jashtëm” dhe për zbatimin e masave për përshtatje të menjëhershme dhe reforma strukturore për përmirësimin e pozicionit të bilancit të pagesave në afat të shkurtër.

“Në rrethanat aktuale të jashtëzakonshme, ndihma makrofinanciare e Unionit për Maqedoninë e Veriut do të jetë përgjigje adekuate ndaj kërkesës së vendit për mbështetje për stabilizimin e ekonomisë. Ndihma makro-financiare e Unionit do të mbështesë stabilizimin ekonomik dhe agjendën e reformave strukturore të Maqedonisë së Veriut, duke plotësuar burimet e vëna në dispozicion sipas marrëveshjes financiare të FMN-së. Ndihma makro-financiare e Unionit duhet të synojë të mbështesë rivendosjen e gjendjes së qëndrueshme me financimin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe në këtë mënyrë të mbështesë zhvillimin e saj ekonomik dhe social”, konkludon Komisioni.

Advertisement

Më tej në dokument thuhet se përcaktimi i shumës së ndihmës makrofinanciare të Bashkimit Evropian për vendin duhet të bazohet në një vlerësim sasior të nevojave të mbetura për financim të jashtëm dhe të marrë parasysh kapacitetin e vendit për të financuar me burimet e veta, veçanërisht me rezervat valutore me të cilat disponon.

“Me rastin e përcaktimit të sasisë së ndihmës, kontributet e pritshme financiare nga donatorët shumëpalësh dhe nevoja për të siguruar një ndarje të drejtë të barrës midis Unionit dhe donatorëve të tjerë, si dhe vendosja paraprake e instrumenteve të tjera financiare të jashtme të BE-së dhe atyre të vlerës së shtuar  të përfshirjes së përgjithshme të Unionit në Maqedoninë e Veriut”, citohet në dokument.

Sipas KE-së, kjo ndihmë makrofinanciare duhet të mbështesë politikën e jashtme të BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut dhe përkushtimin e vendit ndaj vlerave të përbashkëta me BE-në, duke përfshirë respektimin për demokracinë, sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, respektimin e të drejtave të njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm dhe reduktimin e varfërisë, si dhe një përkushtim ndaj parimeve të tregtisë së hapur dhe të bazuar në rregulla dhe të ndershme.

“Një parakusht për dhënien e ndihmës makro-financiare për Unionin duhet të jetë që Maqedonia e Veriut të respektojë mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë sistemin parlamentar shumëpartiak dhe sundimin e ligjit, dhe të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut. Për më tepër, objektivat specifike të ndihmës makrofinanciare të BE-së duhet të forcojnë efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien e sistemeve të menaxhimit të financave publike, si dhe qeverisjen dhe mbikëqyrjen e sektorit financiar dhe duhet të nxisin reformat strukturore që synojnë mbështetjen e një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të rritjes, krijimit të vendeve të punës dhe konsolidimit fiskal. Komisioni duhet të monitorojë rregullisht përmbushjen e atyre parakushteve nga Maqedonia e Veriut dhe arritjen e atyre qëllimeve”, theksohet në Vendim.

Komisioni thekson se për të siguruar që interesat financiare të Unionit lidhur me ndihmën makrofinanciare të mbrohen në mënyrë efektive, Maqedonia e Veriut duhet të marrë masat e duhura në lidhje me parandalimin dhe luftën kundër mashtrimit, korrupsionit dhe çdo parregullsie tjetër që lidhet me këtë ndihmë.

Advertisement

Me këtë vendim, siç theksohet nga Komisioni Evropian, ai qëndron në krah të Maqedonisë së Veriut në këto kohë sfiduese, sepse pas luftës agresive të Rusisë kundër Ukrainës, bilanci i jashtëm i vendit është përkeqësuar për shkak të varësisë së madhe nga importet e karburanteve dhe energjisë elektrike.

Sipas KE-së, ndihma do të kontribuojë në mbulimin e nevojave financiare të Maqedonisë së Veriut në vitin 2023 dhe 2024, duke mbështetur qëndrueshmërinë fiskale dhe reformat strukturore.

Parashikohet që ndihma të disbursohet në formën e kredisë në dy këste, por disbursimi i tyre do të varet nga reformat e politikave në fushat e menaxhimit fiskal, politikës tatimore, menaxhimit të investimeve publike, partneriteteve publiko-private, mjedisit të biznesit, transparencës në ndihmën shtetërore, efikasitetit energjitik, reformave në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe zbatimit të programit të FMN-së.

“Këto reforma do ta mbështesin Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, shtohet në vendim.

Ndihma makro-financiare është pjesë e angazhimit më të gjerë të BE-së për të mbështetur vendet kandidate dhe partnerët e fqinjësisë, e parashikuar  si një instrument i jashtëzakonshëm reagimi ndaj krizave në rast të problemeve serioze të bilancit të pagesave.

Advertisement
Exit mobile version