Prej sot deri më 25 korrik vazhdon faza portikalli në tërë Maqedoninë e Veriut. Për atë shkak Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Qeveria informojnë se vazhdojnë të vlejnë rekomandimet për ulje të rreziqeve nga temperaturat e larta.
Siç informoi shërbimi qeveritar për shtyp, rekomandohet lirim nga prania fizike në vendin e punës për grupet më të ndjeshme të popullatës, siç janë gratë shtatzëna dhe personat e moshës mbi 60 vjeç, me oragnizim të punës onlajn, atje ku procesi teknik-teknologjik e mundëson atë.
Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet), nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë në mes të orës 11:00 dhe 17:00.
Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për personat e vetëm, të moshuar, të dobët dhe të pastrehët.
“Duke e marrë parasysh se disa procese të rrezikshme të prodhimit dhe teknologjisë mund të paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u kujtohet detyrimi për respektimin e rregullave ligjore në këtë fushë”, thuhet në kumtesë.
Qeveria vendosi që autoritetet shtetërore, ndërmarrjet dhe institucionet publike të respektojnë rekomandimet. Qeveria i rekomandon sektorit privat që të organizojë orarin e punës në mënyrë që punëtorët të mbrohen nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, mbi të gjitha duke shmangur qëndrimin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00.
“Të gjitha subjektet juridike që kryejnë veprimtari në natyrë, të ndërpresin veprimtarinë në periudhën nga ora 11:00 deri në ora 17:00, e kjo veçanërisht vlen për punën e punëtorëve të ndërtimit. Kopshtet duhet të organizojnë orarin e tyre të punës nga ora 07:00 deri në 17:00, në mënyrë që të mos ushtrojnë aktivitet fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë pas orës 11:00”, thuhet në kumtesë.
Qeveria vendosi këto masa të zgjasin nëntë ditë, prej sot deri më 25 korrik, apo deri në vendimin e ardhshëm.
Sipas Drejtorisë për punë hidrometeorologjike, faza portokalli pritet të zgjasë në 10 ditët në vijim. Të gjitha rajonet në shtet: i Shkupit, i Osogovës-Maleshevisë, i Pellagonisë dhe i Ohrit-Prespës do të jenë në fazën portokalli.