Site icon Tetova Expres

KFOR: S’ka dëshmi se armë nga Serbia po ruhen në kisha, përgjegjësia i takon policisë

KFOR-i ka mohuar deklaratat e bërë dje nga deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila tha se armë nga Serbia po ruhen në kishat serbe në Kosovë.

Në një përgjigje për rtv21.tv, KFOR tha se ngjarja e përmendur nga Kearns i referohet vitit të kaluar, kur ‘Batalioni Mbretëror Fusilier’ u dërgua në veri të Kosovës për mbështetje të misionit të KFOR-it.

Tutje KFOR tha se prezenca e supozuar e armëve ilegale është raportuar në Shtabin e KFOR-it dhe se pas hetimeve të mëtejshme për konfirmuar një gjë të tillë, “nuk ka dalë asnjë provë për atë që është raportuar”.

“Nuk ka asnjë dëshmi edhe në lidhje me kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Më tej organizata paqeruajtëse tha se ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, “që është nën përgjegjësinë e Organizatave të Sigurisë së Kosovës”. /21Media

Advertisement
Exit mobile version