Site icon Tetova Expres

Tetovë, shtohen radhët për ndërrimin e dokumenteve

Ata qytetarë të cilët në dokumentet personale e kanë të shënuar Republika e Maqedonisë së Veriut, nuk duhet që të ndërrojnë të njëjtat, prandaj apelohet deri tek qytetarët që të mos krijojnë kaos në sportele. Dokumentet e vjetra ku qëndron Republika e Maqedonisë, ata nuk do të jenë valide pas muajit shkurt të vitit 2024. Kësisoj, në sportelet për nxjerrjen e dokumenteve në Tetovë, ditëve të fundit janë shtuar radhët e atyre që ndërrojnë dokumentet e vjetra.

Në këtë periudhë ka edhe shumë mërgimtarë që janë kthyer në vendlindje prandaj apelohet që vetëm ata qytetarë që kanë dokumente të vjetra të drejtohen në sportele, kurse tjerët të mos shkojnë sepse krijohen tollovi pa nevojë.

“Ministria e Punëve të Brendshme, gjegjësisht Sektori i Punëve të Brendshme-Tetovë, i njofton qytetarët se në lidhje me vendimin për ndryshimin e dokumenteve personale siç janë dokumentet e udhëtimit, letërnjoftimet dhe patentë shoferi, të cilat duhet të ndryshohet deri më datë 12 shkurt 2024, duke patur parasysh se pason një periudhë kur një numër i madh i mërgimtarëve kthehen në vendlindje dhe mes tjerash rinovojnë dokumentet e tyre të skaduara, për të evituar radhët e gjata dhe grumbullimet nëpër zyrat e administratës për lëshimin e dokumenteve personale dhe për të shmangur lodhjen e panevojshme të qytetarëve, sqarojmë se qytetarët duhet të kenë kujdes, gjegjësisht të kontrollojnë të gjitha dokumentet e tyre tek të cilat, në pjesën e sipërme shkruhet Republika e Maqedonisë së Veriut, të njëjtat janë të vlefshme, gjegjësisht nuk duhet t’i ndryshojnë, kurse vetëm ato dokumente tek të cilat figuron emri Republika e Maqedonisë duhet të zëvendësohen me të reja”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.

Ndryshimi i dokumenteve personale është obligim i dalë nga Marrëveshja e Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit kushtetues, e firmosur në vitin 2018. Dokumentet e vjetra, pas datës 12.02.2024 nuk do të vlejnë, pavarësisht kur u skadon afati. Domethënë me pasaportë të vjetër nuk mund të kalohet kufiri, me letërnjoftim të vjetër nuk mund të kalohet kufiri dhe as nuk do të pranohet si dokument nëpër institucione dhe me leje të vjetër për vozitje nuk mund të drejtoni automjetin, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndryshe, rreth një milion pasaporta të vlefshme të qytetarëve duhet të ndërrohen deri në skadimin e afatit. Sipas MPB-së vetëm 40 për qind e pasaportave mbajnë emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Advertisement

Kohë më parë avokati i Popullit Naser Ziberi kritikoi Qeverinë se pse të gjitha shpenzimet për ndërrimin e dokumenteve personale që dalin nga Marrëveshja me Greqinë duhet t’i paguajnë qytetarët./Koha.mk/

Exit mobile version