“Arrestohen tre vjedhës, janë zbardhur gjashtë vepra penale, një pjesë e gjësendeve të marra janë kthyer te pronarët”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, transmeton TV21.
Më tej bëhet e ditur se rasti ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, gjatë periudhës kohore prej orës 9 të mëngjesit deri në ora 14, në rajonin e Negotinës, ndërkaq të arrestuarit janë nga fshatra të Gostivarit.
“Dje, (03.07.2023) gjatë periudhës prej orës 09.20 deri në ora 14.00, nëpunësit policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria I.Ç.(26) nga Topllica e Gostivarit dhe E.F.(22) dhe J.M.(18) nga Dobridolli i Gostivarit. Që të tre dyshohen se kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje” në tre objekte hotelerike në rajonin e Negotinës, ndërkaq në mënyrë shtesë kanë marrë edhe tre trotinetë elektrikë. Trotinetët e marrë janë gjetur dhe do të kthehen te pronarët, ndërkaq të dyshuarit janë në mbajtje dhe kundër tyre do të vijojnë kallëzime përkatëse”, sqarojnë nga MPB-ja për rastin.