Këshilli Ekonomiko-Social pritet të vazhdojë sot në mbledhjen e tij bisedimet për ngritjen e pagave në sektorin publik, pasi javën e kaluar u ra dakord që Qeveria të bëjë simulime të reja për përllogaritjen e pagave sipas propozimeve të sindikatave.
Në seancën e fundit u prezantua Metodologjia për rritjen e pagave në sektorin publik, e cila propozon një periudhë të re tranzitore nga viti 2023 në 2025, pra rritje të pagave për një periudhë 2.5 vjeçare.
“Pas diskutimit konstruktiv mes partnerëve socialë lidhur me propozimin, u konstatua se periudha e tranzicionit prej 2.5 vitesh është e pranueshme dhe përfaqësuesit e qeverisë do të bëjnë simulime të reja sipas propozimeve të ofruara nga sindikatat”, thonë nga MPPS, nga ku shtojnë se është arritur progres në negociata.
Sindikatat, nga ana tjetër, vlerësuan se ka pasur një zhvillim në negociatat, por nuk devijojnë nga kërkesat sepse ajo që ofrohet nuk është e pranueshme për ta.