Themelimi i institucioneve të reja, pa siguruar më parë ambientet ku do të ushtrojnë aktivitetin, është një praktikë që ka ndjekur dhe përndjek ende një pjesë të mirë të institucioneve të reja për kulturën shqiptare, ku janë dashur muaj, në mos edhe vite që të funksionojnë brenda godinave të dy ose më shumë institucioneve
Evis HALILI
Shkup, 21 qershor – U deshën tre muaj protestë që Filarmonia të detyronte Qeverinë që të ndryshonte qëndrim, duke miratuar dy vendime kontradiktore brenda kësaj periudhe. Për rrjedhojë Filarmonia nuk është e detyruar të ndajë ambientet e saj me Orkestrën e xhazit (e sapoformuar), ndërsa kjo e fundit me vendimin e djeshëm përfitoi ambiente të reja të përhershme. Themelimi i institucioneve të reja, pa siguruar më parë ambientet ku do të ushtrojnë aktivitetin, është një praktikë që ka ndjekur dhe përndjek një pjesë të mirë të institucioneve të reja për kulturën shqiptare, ku janë dashur muaj, në mos edhe vite që të funksionojnë brenda godinave të dy ose më shumë institucioneve, si ansambli i këngëve dhe valleve, Teatri i Tetovës…. Por një gjë e tillë nuk ndodhi me Filarmoninë, e cila për te muaj me radhë protestoi duke mos lejuar që qoftë edhe provizorisht Orkestra e re e xhazit të vendosej në objektin e tyre. “Në muajt e fundit, përveç që kemi luftuar për të ruajtur hapësirën tonë, ne kemi luftuar edhe kundër breshërisë së lajmeve të rreme dhe dezinformatash. Ne nuk iu dorëzuam presionit, i cili ishte i fortë dhe intensiv, as nuk hoqëm dorë nga lufta për të ruajtur hapësirën tonë të punës..”, thuhet në deklaratën e Filarmonisë.
Por pavarësisht ndryshimit të qëndrimit të Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës, në konferencën e djeshme ministrja e kulturës akuzoi drejtuesit Filarmonisë dhe kërkoi prej tyre të kërkojnë falje publike. “Si epilog i sinqertë i gjithë kësaj situate do të ishte – kërkimi i ndjesës publikut nga drejtori dhe Bordi Drejtues që me vetëdije manipuluan emrat e njohur të muzikës, por edhe autoritete nga bota e kulturës…, që me vetëdije i ekspozuan ndaj kritikave të publikut”, tha ministrja Bisera Kostandinova Stojçeva. Nga Filarmonia deklarojnë se nuk kanë ndërmend të kërkojnë falje, por të falënderojnë publikun që i mbështeti kundër vendimit të dëmshëm të Ministrisë së Kulturës. “Ministrja sërish na sulmoi. E vërteta e vetme e konferencës së ministres ishte konstatimi se protestat tona nuk ishin sindikaliste, po ato ishin artistike dhe për herë të parë të gjithë punonjësit morën anë tonë dhe të gjithë emrat e njohur të botës së muzikës”, thuhet në deklaratën e sindikatës së Filarmonisë.
Orkestra Kombëtare e Xhazit, me vendim të Qeverisë, do të ketë adresë të re të përhershme, në bulevardin “Goce Dellçev”, një hapësirë prej 475 m2, që është pjesë e hapësirës totale prej 1448 m2 në kuadër të Operës dhe Baletit Kombëtar, për rinovimin e duhur të së cilës tashmë ka një projekt dhe janë siguruar fondet. (koha.mk)