Plani i ri i BE-së për përafrimin dhe përkrahjen ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor nënkupton fonde shtesë të BE-së për projekte zhvillimore dhe infrastrukturë. Këtë e shpjegon ministri i Financave, Fatmir Besimi, në kolumnën e tij të fundit, ku ndër të tjera thekson se kompanitë nga Maqedonia e Veriut do të kenë qasje e lirë në një treg prej gjysmë miliardi konsumatorësh.
Besimi ka cituar njoftimin e kryetarës së Komisionit Evropian, ku theksohet se nisma e re për përkrahjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor bazohet në katër shtylla, përafrimin drejt tregut të vetëm të BE-së, integrimin ekonomik rajonal, përshpejtimin e reformave fundamentale dhe stimulimin e rritjes ekonomike përmes rritjes së fondeve aderuese.
FATMIR BESIMI, MINISTËR I FINANCAVE
”Vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësinë që shumë më herët t’i ndjejnë benefitet e shtytësit kryesor të suksesit ekonomik të Bashkimit Evropian – tregut të përbashkët. Me shumë mundësi, kjo qasje do t’i referohet një prej segmenteve më të mëdha të tij, respektivisht tregut të vetëm digjital, i cili i referohet shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve përmes kanaleve digjitale. Ai përfshin fusha të tilla si tregtia elektronike, siguria kibernetike dhe lehtësimi i shërbimeve të pagesave dhe tregtia e mallrave”
Besimi ka theksuar se ekonomia e përbashkët rajonale mund të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të aderimit në BE, por gjithashtu integrimi ekonomik rajonal është esencial për nxitjen e potencialit të madh ekonomik të rajonit duke e bërë atë më tërheqës për investitorët e huaj.