Site icon Tetova Expres

Konferencë për promovimin e të drejtave të fëmijëve: Përmes angazhimit Institucional për mbrojtje më të madhe

Të drejtat e fëmijëve janë shumë të rëndësishme dhe mbrojtja dhe avancimi i tyre duhet të jetë prioritet për çdo shtet evropian, porositi ambasadori evropian Dejvid Gir në konferencën e sotme për promovimin e të drejtave të fëmijëve.

Në ngjarje me rastin e 25 vjetorit të zyrës së Avokatit të Popullit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ambasadori evropian foli për mbështetjen e BE-së për krijimin e hapësirës për të drejtat e fëmijëve.

“Të drejtat e fëmijëve dhe nevoja e tyre për mbrojtje janë prioritet i Bashkimit Evropian, sepse fëmijët dhe të rinjtë janë shtylla e së ardhmes. Shumë shpesh fëmijët nuk janë pjesë e sjelljes së politikave, politika që i  sjellim pa i konsultuar, prandaj hapat tanë synojnë për mundësimin e kushteve për përfshirjen e tyre maksimale”, porositi Giri.

Shëndeti mendor i fëmijëve, siç thekson, është nën ndikim të teknologjisë digjitale dhe për këtë shkak krijohen programe të cilat kanë për qëllim fëmijëve  t’u mundësojnë edukim për shfrytëzimin e mundësive që i ofron teknologjia.

Sipas Girit, ngjarjet e tilla janë me një rëndësi të madhe sepse janë përkujtuespër të gjitha arritjeve të deritanishme dhe të gjitha qëllimeve të cilat në të ardhmen duhet të realizohen.

Advertisement

Avokati i Popullit, Naser Zyberi, ndërkaq, në fjalimin e tij u përqendrua në punën e zyrës së Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vitet e kaluara.

“Avokati i Popullit me profesionalizëm  angazhohet për të drejtat e fëmijëve. Këto të drejta janë shumë të rëndësishme, prandaj institucioni i trajton me shumë kujdes. Duhet të theksoj  se veçanërisht jemi krenarë për hulumtimet të cilat i bëjmë dhe më tej shfrytëzohen për ndryshime ligjore, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e të drejtave të fëmijëve”, tha Avokati i Popullit Zyberi.

Shtoi se  kontribut të veçantë për fëmijët, Avokati i Popullit  ka dhënë  gjatë pandemisë përmes mbështetjes së shkollave.

Në panel debat morën pjesë edhe përfaqësues të të gjitha organizatave të përfshira të cilat u përqendruan në aspekte të ndryshme të gjendjes me të drejtat e fëmijëve në vend.

Suzana Kiranxhiska, drejtoreshë e Fondacionit “Hapi pas Hapi” u përqëndrua në shkollat dhe rolin e tyre në parandalimin e dhunës, si dhe në promovimin e të drejtave të fëmijëve. Sipas saj,  shkollat ​​mund të bëjnë shumë për  ta parandaluar dhunën.

Advertisement

“Ne në Shoqatën tonë konsiderojmë se një program arsimor i mirë cilësor është ai që përfshin inkluzion, respekt të demokracisë dhe diversitet që të mundet çdo fëmijë  ta realizojë potencialin e tij. E gjithë kjo që ndodh në shoqërinë tonë dhe ngjarjet e fundit në fqinjësi ka bërë t’i hapim sytë dhe të mendojmë se si t’i mbrojmë fëmijët nga dhuna. Detyra jonë dhe detyra  e shkollave nuk është me fjalë, por me vepra t’i tregojnë vlerat e vërteta që duhet t’i ndjekin”, vlerësoi ajo.

Kryetari i Ambasadës së parë të fëmijëve në botë “Megjashi”, Dragi Zmijanac, tha se vetëqeverisjet lokale duhet të marrin pjesë shumë më tepër në procesin e avancimit dhe dhe krijimit të politikave.

“Ai që është fokusi im është komunat ku do të mundësohet për fëmijët një vend i përshtatshëm për rritje dhe zhvillim dhe komunat të cilat do të përkushtohen maksimalisht. Në të vërtetë, politikanët  bëjnë premtime shumë të ndershme,  por vështirë realizojnë. Ajo që  mua realisht më shqetëson është se në zgjedhjet lokale premtohen shumë gjëra, por askush nuk mendon në çfarë gjendje ndodhen fëmijët. Duhet shumë të punohet nga ana e komunave, mungon një plan strategjik që kemi bërë, por ende nuk ka arritur në strukturë këshilli”.

I porositi politikanët që të lënë më shumë hapësirë ​​për zërin e fëmijëve, në vend që ta uzurpojnë me fjalimet e tyre politike.

Përveç kryetarëve të komunave dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal  të pranishëm të Dibrës, Gostivarit, Kisella Vodës, Velesit dhe Vinicës, si dhe drejtorëve dhe përfaqësuesve tjerë të shkollave partnere, në debat morën pjesë edhe nxënës nga disa shkolla të mesme nga Shkupi.

Advertisement

Ngjarja është në organizim të Delegacionit të BE-së në bashkëpunim me organizatat partnere Fondacioni për Iniciativa Arsimore dhe Kulturore “Hap pas Hapi”, Ambasada e parë e fëmijëve në botë “Megjashi” dhe Qendra për Familje dhe Përkujdesje për Fëmijë KMOP Shkup, si dhe Zyra e Avokatit të Popullit.

Exit mobile version