Site icon Tetova Expres

A duhet të zgjerohen kompetencat e Komisionit shtetërorë për parandalimin e korrupsionit?

Komisioni shtetërorë për parandalimin e korrupsionit është organi kryesor dhe mbase dera e vetme ku duhet të trokitet për të denoncuar rastet e korrupsionit. Por, sipas nënkryetarit të këtij Komisioni, Nuri Bajrami, i cili gjatë prononcimit të tij për Zhurnal tha se  Komisioni nuk ka mekanizma të mjaftueshme për ta luftuar korrupsionin. Nga ana tjetër, juristja, Shemsije Demiri, thotë se domosdo duhet të ketë bashkëpunim me organe tjera për përmbushjen e obligimeve të Komisionit, si dhe zgjerim të kompetencave në implementimin e punëve. Megjithatë, edhe përkundër faktit se ky Komision është aktiv, bashkë me të shumë aktiv është edhe korrupsioni. Sipas raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në 2022, tregon se Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut është shumë i lartë. Në të theksohet se edhe pse vendi ka ligj që parasheh dënime penale për korrupsionin, megjithatë ekzistojnë raporte për funksionarë që janë të përfshirë në korrupsion. Gjithashtu, në indeksin ndërkombëtar për perceptimin e korrupsionit në botë nga “Transparency International”, Maqedonia e Veriut është në vendin e 85-të nga 180 vende, në shoqërinë e Surinamit, Indisë, Maldiveve, Guajanës dhe Tunizisë, shkruan Zhurnal.

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK) nuk po arrin ta ndalojë korrupsionin –

Komisioni për parandalimin e korrupsionit siduket nuk po arrin ta përmbush punën dhe përgjegjësinë që e ka përsipër, pasi korrupsioni po vazhdon të “lulëzojë” kudo pothuajse gjithkund, dhe vazhdon të jetë në nivel të lartë. E ky nuk është opinion i qytetarëve por edhe rezultat i gjitha hulumtimeve që realizohen brenda dhe jashtë vendit. Por, përse ky organ nuk është funksional në kryerjen e detyrave?

Nënkryetari i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, Nuri Bajrami, gjatë prononcimit të tij për Zhurnal, tha se ligji aktual për këtë Komision është gjysmë i zbatueshëm, pasi në këtë ligj sipas tij, ka përshkrime të atilla që nuk mund të zbatohen në praktikë.

“Në ligjin që është në fuqi gjysma e ligjit është i pazbatueshëm, pasi përmes këtij ligji janë përshkruar kompetenca përmes të cilave shumë vështirë mund të implementohen pa qenë të përshkruar edhe mjetet teknikat e shumë parakushte të tjera. Përshmebull në ligj thuhet ta luftosh ndikimin politik, e për ta bërë këtë duhet të kesh qendra hetimore, mjete përmes të cilave realizohet kjo në praktikë. Por, për të formuar organe të tilla pastaj do t’i ngjante ndonjë prokurorie ose organi tjetër hetues. Prandaj, kjo duhet të bartet në organet kompetente të cilat kanë mundësi ta realizojnë, ose të cilëve u është përshkruar veç procedurës shqyrtuese dhe analizuese, edhe ajo hetuese, në këtë ligj atë hetuese nuk e ke”, tha Nuri Bajrami për Zhurnal.

Advertisement

Mes tjerash, Bajrami, shpreh shqetësimin e tij edhe për funksionimin e organeve tjera, pasi sipas tij nëse organet tjera do të kishin funksionuar sipas ligjeve, atëherë KSHPK do të kishte më pak nevojë të merret me evidentime të ndryshme. Sepse, Komisioni merr iniciativa por këto përfundojnë pa epilog pasi varen prej dikujt tjetër.

“Konstatimet që mund të ndodhin gjatë punës me lëndë të ndryshme tregojnë që mund t’i ngresh iniciativat si për përgjegjësi penale, por pastaj nuk ke mundësi si t’i bësh të impementueshme iniciativat pasi ato varen prej dikujt tjetër.  Prandaj, nëse punët në nivel të organeve tjera realizohen ashtu si duhet sipas ligjeve që janë përshkruar avancohen me kohë deri në nivelin e impelementueshëm me sukses, atëherë KSHPK do të kishte më pak nevojë të merret me evidentimin e pronës dhe gjendjen e interesave të personave të zgjedhur, ndalesat në mos ushtrimin e më shumë posteve përveç atij ku janë të zgjedhur, situatat e konfliktit të interesit, e të tjera, pasi këto situata janë derë e hapur për korrupsion”, përfundoi Bajrami.

Nga ana tjetër, profesoresha dhe juristja, Shemsije Demiri, në prononcimin e saj për Zhurnal, tha se këtij organi të rëndësisë së veçantë për vendin domosdo i duhen më shumë kompetenca dhe bashkëpunim për shtrirjen e ndikimit deri në implementimin e veprimtarisë së saj.

“Duke u nisur nga procesi i krijimit të politikave, ndjekjes dhe mbikëqyrjes, duhet domosdo bashkëpunim me organet tjera shtetërore me qëllim esencial për parandalimin e korrupsionit. Përmes kësaj forme forcohen dhe vendosen standarde të duhura në Komisionin shtetëror për parandalimin e korrupsionit”, tha juristja Shemsije Demiri, për Zhurnal.

Ndryshe, sipas saj KSHPK duhet të ketë resurse dhe autorizime të mjaftueshme për përmbushjen e obligimeve, në të kundërtën nuk mund të jetë puna e këtij Komisioni efektive.

Advertisement

“Komisioni shtetërorë për parandalimin e korrupsionit e ka të nevojshme që të ketë resurse të mjaftueshme, si dhe autorizimet e duhura që vetëm përmes kësaj mënyre të realizojë aktivitetin për prodhuar rezultate efektive. Përndryshe, mungesa e resurseve dhe autorizimeve e pamundëson kryerjen e obligime dhe përgjegjësive të këtij Komisioni”, përfundoi Demiri.

Raporti i DASH-it korrupsioni në nivel të lartë në RMV-

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për vitin 2022 vë në pah faktin që korrupsioni “lulëzon” në çdo sektor të vendit, edhe atë në qeveri, burgje, gjykata dhe ngjashëm. Në raport thuhet se edhe pse ka përpjekje për të përmirësuar situatën, ka sektorë në të cilat qytetarët përballet me diskriminim të skajshëm, trajtim çnjerëzor, korrupsion, dhunë dhe kërcënime.

“Në Kushtetutë parashihet gjyqësor i pavarur, por autoritetet jo gjithmonë e kanë respektuar pavarësinë dhe paanësinë gjyqësore. Rastet e sjelljes së pahijshme gjyqësore, presioni i papërshtatshëm politik dhe i biznesit ndaj gjykatësve, drejtësia e zgjatur dhe financimi dhe stafi i pamjaftueshëm i gjyqësorit vazhduan të pengojnë efikasitetin e gjykatave dhe të ndikojnë në besimin e popullit në sundimin e ligjit”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Raporti i Transparency International për korrupsionin Maqedonia e Veriut në vendin e 85-të –

Advertisement

Në indeksin ndërkombëtar për perceptimin e korrupsionit në botë nga “Transparency International”, Maqedonia e Veriut është në vendin e 85-të nga 180 vende, në shoqërinë e Surinamit, Indisë, Maldiveve, Guajanës dhe Tunizisë. Indeksi rendit 180 vende dhe territore në mbarë botën sipas perceptimit të qytetarëve për korrupsionin në sektorin publik dhe vlerësohet në një shkallë nga 0 (shumë e korruptuar) në 100 (shumë e pastër). Në krye të kësaj liste është  Danimarka, Finlanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Singapori, Suedia. /Zhurnal.mk

Exit mobile version