Sot në orën 14:00, punonjësit e Filarmonisë do të mbajnë protestë para Ministrisë së Kulturës, e cila sipas tyre “ka marrë tashmë karton të kuq” në koncertin e fundit të pjesës zyrtare të sezonit koncertor “Damar na slobodata”, që u mbajt të premten në skenën e Operës dhe Baletit Kombëtar në kuadër të festivalit “Mbrëmjet e Operës së Majit”.
“Protestat tona vazhdojnë deri në ndryshimin përfundimtar të vendimit të dëmshëm të Ministrisë së Kulturës. Sa më shumë që Ministria e Kulturës prologon zgjidhjen e problemit, aq më të thella janë pasojat, të cilat tashmë janë reflektuar në punën e institucionit tonë”, thonë nga atje.
Në njoftimin e Sindikatës së Filarmonisë së Maqedonisë, thuhet se fushata negative mediatike në muajt e fundit ka dëmtuar rëndë reputacionin e institucionit të tyre.
“Sulmet ndaj individëve, si dhe shkrimet e orkestruara me pagesë në media, shtrembëruan plotësisht pamjen reale të problemit në publik. Njëqind herë gënjeshtra e përsëritur – bëhet e vërtetë ishte motivi i lehtë i fushatës manipuluese mediatike që ende po zhvillohet kundër institucionit tonë”, thonë nga Sindikata.
Ndryshe, pakënaqësia e punonjësve të Filarmonisë nisi në fund të muajit mars, pas vendimit të Ministrisë së Kulturës që Orkestra Kombëtare e Xhazit e sapoformuar do të zhvillonte prova dhe koncerte përkohësisht në objektin e tyre. Ata pretendojnë se në objektin e Filarmonisë nuk mund të punojnë paralelisht dy institucione.
Shoqata e Muzikantëve të Xhazit, nga ana tjetër, është përgjigjur se qëndrimet e punonjësve të Filarmonisë janë të pajustifikuara dhe të papranueshme dhe sipas tyre ekziston mundësia që këto dy institucione muzikore të bashkëpunojnë dhe të funksionojnë së bashku. Ata pohojnë gjithashtu se puna e tyre nuk do të ndërhyjë në punën e Orkestrës Filarmonike.