“PROCEDURA NDRYSHIMIT KUSHTETUESE MUND TË FILLOJË, NDËRKOHË TË VAZHDOJË DIALOGU POLITIK”
Përkundër deklaratave të partive politike se, do të bëjnë përpjekje që në kuadër të ndryshimeve kushtetuese, të përfshihet edhe ndryshimi i formulimit 20% që i referohet gjuhës shqipe, kryetar i Kuvendit, Talat Xhaferi ka përjashtuar këtë mundësi, njofton KlanM.
Ai tha se në kuadër të kësaj iniciative, nuk ka hapësirë të bëhet ndërhyrje jashtë asaj që është sjell në vendimin e qeverisë, por për këtë do të duhej iniciativë tjetër, sepse, pasi që të dorëzohen në Kuvend propozim amendamentet, nuk mund të dorëzohen amendamente të reja, jashtë asaj që i propozon Qeveria si propozues.
Ai poashtu, sic njofton KlanM, ka thënë, se nuk mund të zhvillohet iniciativë paralele për ndryshim të kushtetutës, pasi ka afate të caktuara për të pasur iniciativë të re për ndryshimet kushtetuese.
“As propozuesi nuk guxon të dalë jashtë asaj që është sjellë vendimi. Ata nuk mund të propozojnë amendament të ri, sepse propozues i draft amendament është propozues i iniciativës” – tha Talat Xhaferi.
Xhaferi, gjatë një brifingu me gazetarët, sic percjell KlanM, njoftoi se, procesi i miratimit të ndryshimeve kushtetuese mund të zgjasë nga katër muaj e gjysmë deri në gjashtë muaj maksimum, ndërsa afatet do të rrjedhin nga momenti që iniciativa të dorëzohet në Kuvend.
Ai tha se, për këtë çështje është i domosdoshëm konsensusi politik, pasi për miratimin e nevojës për ndryshimet kushtetuese nevojitet 80 vota. Por, sipas tij edhe pse shumica nuk ka siguruar ende këtë numër, procedura mund të fillojë dhe dialogu politik të vazhdojë në ndërkohë.
“Nuk ka asnjë pengesë ligjore që diskutimi për ndryshimet kushtetuese të fillojë, edhe pse nuk është siguruar mbështetje prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese. Procedura për miratimin e nevojës së ndryshimit të Kushtetutës mund të fillojë, ndërsa 30 ditët e ardhshme, deri sa të vijë në votim, të punohet në sigurimin e shumicës për ndryshimet – më saktësisht dialogu politik të vazhdojë” – deklaroi Xhaferi.
Grupi punues të premten (26 maj) miratoi propozim iniciativën për ndryshimet kushtetuese. Iniciativa, sic njofton KlanM, po shqyrtohet fillimisht në Ministrinë e Drejtësisë, më pas do të dorëzohet në Qeveri për shqyrtim dhe miratim dhe në fund, do të dorëzohet në Kuvend, pas çka do të fillojë procedura për ndryshimet kushtetuese. /KlanMacedonia/