Site icon Tetova Expres

SHGM: Vendim i turpshëm i Gjykatës së Apelit në Shkup në dëm të gazetarisë hulumtuese

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) reagojnë ndaj vendimit të Gjykatës së apelit në Shkup ku siç thonë ishte në dëm të gazetarisë hulumtuese, përcjellë Klan M, ku thonë se do ta informojnë Federatën Evropiane të Gazetarëve (FEG), ku janë anëtarë, për këtë vendim të Gjykatës së Apelit në Shkup dhe do të tregojnë se është çështje presioni përmes gjykatës ndaj gazetarisë së lirë. Këshilli për Etikë në Media në Maqedoni (KEMM) do të informojë edhe Rrjetin e Këshillave të Pavarur të Mediave në Evropë (RRKPME) për rastin, ku SPGPM është anëtare.

Ja kumtesa e plotë:

”Këshilli i Gjykatës së Apelit në Shkup, i përbërë nga gjykatësit Gordana Gjorçeva, kryetare e këshillit, Suad Aliu dhe Vllatko Samarxhiski, anëtarë të këshillit, mori një vendim të turpshëm në dëm të gazetarisë së lirë ndaj kolegëve të Laboratorit të Gazetarëve Hulumtues (IRL).

Kjo gjykatë e anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore Civile Shkup në favor të gazetarëve, dhe e ktheu në rigjykim rastin në të cilin ish zëvendëskryeministri Koço Angjushev paditi Sashka Cvetkovskën dhe IRL-në.

Ky lloj vendimi i gjykatësve të Gjykatës së Apelit në Shkup dhe në përgjithësi kjo lloj praktike e keqe gjyqësore ndikon negativisht në lirinë e shprehjes dhe nxit autocensurën, veçanërisht nëse merret parasysh se padia është private dhe paditësi është njeri i fuqishëm ekonomikisht dhe në qeverisjen e kaluar ka mbajtur postin e zëvendës kryeministrit në Qeveri.

Advertisement

Është e rëndësishme të theksohet se këto lloj padish shërbejnë për të shkaktuar frikësimin dhe shterrjen e mundshme financiare të gazetarëve të paditur.

Theksojmë se zakonisht qëllimi i këtij lloji të padive nuk është për mbrojtjen e imazhit personal, por për të keqtrajtuar, për t’i demotivuar gazetarët dhe për t’i shmangur nga kritikat publike. Ky lloj padish njihen si padi strategjike për parandalimin e pjesëmarrjes në publik (SLAPP) dhe për to Këshilli i Evropës ka përpiluar rekomandime që u janë dhënë shteteve anëtare për t’i penguar ata, pasi cenojnë të drejtën e informimit të qytetarëve.

Problem shtesë në lidhje me këtë rast është edhe tentativa e djeshme për diskreditim publik nga Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Marketing të “Fero Invest” Sh.PK Shkup, e cila në një deklaratë për media ka dhënë interpretimin e saj për këtë rast gjyqësor.

Në njoftimin e transmetuar nga disa media, ata e vendosin veten në rolin e gjykatës, paragjykojnë vendimin e ardhshëm të gjykatës dhe me fyerje ndaj koleges Sashka Cvetkovska, thonë se ajo “ka keqpërdorur pozitën e saj si gazetare, që është një shkelje e rëndë e Ligjit për Media dhe parimeve bazë gazetareske”.

Në këtë mënyrë mund të interpretohet se “Fero Invest” po i bën presion shtesë Gjykatës Themelore Civile, e cila sërish duhet të veprojë në padinë private të Angjushev ndaj gazetarëve, dhe së dyti, po tentohet të ndikohet në opinion në favor të paditësit dhe në dëm të lirisë së shprehjes.

Advertisement

Për rikujtim, IRL për këtë storje mori çmimin e parë me temën “Ballafaqimi me ndotjen e ajrit – përforcimi i vetëdijes publike për problemet dhe zgjidhjet e mundshme”, nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Përveç kësaj, më 23 maj 2021, Këshilli i Nderit në SHGM e hodhi poshtë kërkesën e Angjushevit për gjoja shkelje të
Kodit të Etikës së Gazetarëve dhe deklaroi se ky lajm ofron informacione dhe prova që janë patur në dispozicion autorët e lajmit investigativ, pra nuk është shkelur neni 1, dhe me ofrimin për incizimin e deklaratës së Angjushevit, nuk ka shkelje të nenit 3 të Kodit të Gazetarëve të Maqedonisë.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) do ta informojnë Federatën Evropiane të Gazetarëve (FEG), ku janë anëtarë, për këtë vendim të Gjykatës së Apelit në Shkup dhe do të tregojnë se është çështje presioni përmes gjykatës ndaj gazetarisë së lirë. Këshilli për Etikë në Media në Maqedoni (KEMM) do të informojë edhe Rrjetin e Këshillave të Pavarur të Mediave në Evropë (RRKPME) për rastin, ku SPGPM është anëtare” – thuhet në kumtesën e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM). /KlanMacedonia/

Exit mobile version