Maturantët në vend sot i nënshtrohen provimit të parë të maturës shtetërore të këtij viti. Jepet gjuha amtare dhe letërsia (maqedonisht, shqip, turqisht) – i pari nga dy provimet eksterne, i cili është i detyrueshëm për të gjithë maturantët.
Për të dhënë provimin përfundimtar në sesionin e provimit të qershorit, sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QShP) janë regjistruar 15.620 maturantë, nga të cilët 6.750 janë të arsimit të mesëm, 8.598 nga arsimi i mesëm profesional dhe 272 nga arsimi i mesëm artistik.
Dhënia e provimit të dytë të ekstern nga matura është planifikuar për në datën 10 qershor. Është fakultative dhe maturantët patën mundësinë të zgjedhin nga shtatë lëndë.
Më të regjistruarit – 13.922 – janë për provimin e gjuhës angleze, 1.397 nxënës janë regjistruar për matematikë, 29 maturantë do të japin gjuhën frënge, gjermanisht – 122 nxënës, 17 nxënës kanë aplikuar për provimin e gjuhës ruse, 81 nxënës zgjodhën Estetikën dhe shtatë maturantë zgjodhën filozofinë.
Mbajtja e provimit vjetor të maturës shtetërore ishte në mëdyshje deri para pak kohësh për shkak të grevës së punonjësve të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QShP). Ata kërkuan rritje të pagave nga autoritetet, gjegjësisht harmonizimin e tyre me pagën minimale, por thanë se takimet me përfaqësuesit e qeverisë lidhur me këtë çështje nuk dhanë fryte.
Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) këmbënguli që provimi i maturës shtetërore të zhvillohet sipas afateve të parapara dhe tha se nëse QShP është në grevë, Ministria do të dërgojë punonjësit e saj për të kryer të gjithë procesi.
Pas njoftimeve të tilla nga Ministria e Arsimit, Qendra Shtetërore e Provimeve vendosi pezullimin e grevës, me arsyetimin se nuk do të lejojë hyrjen e të huajve në procesin e maturës shtetërore dhe vënien në pikëpyetje të vlefshmërisë dhe rezultateve të testimit.
Megjithatë, para grevës së QShP-së, disa nga maturantët kanë protestuar disa herë para MASH-it, duke kërkuar nga autoritetet që t’ua lehtësojnë provimin e maturës shtetërore, pasi siç deklaruan ata, janë brezi më i dëmtuar që nuk ka kaluar asnjë vit shkollor pa asnjë ndërprerje.
Unioni i nxënësve të shkollave të mesme më pas doli zyrtarisht me kërkesa konkrete ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë për lehtësimin e dhënies së provimit të maturës dhe Ministria e Arsimit i pranoi shumicën e tyre.
MASh pranoi kërkesën e Unionit për uljen e volumit, pra të numrit të pyetjeve në testin e gjuhës amtare, i cili do të ketë nga 60 në 80 pikë dhe jo nga 80 në 100 pikë si më parë.
Krahas kësaj, u pranuan kërkesat për ndryshimin e raportit të pikëve të provimit ekstern dhe intern nga provimi i maturës shtetërore për pranim në fakultet, dhe provimi i parë ekstern – gjuha amtare – të konsiderohet si i përshtatshëm për të gjitha programet e studimit.
Maturantët që nuk do ta kalojnë provimin e maturës në qershor, do të mund ta marrin atë në sesionin e provimit të gushtit – më 9 dhe 11 gusht.