Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka premtuar se jo më shumë se 90 ditë në Tetovë do të ketë strehimore për qentë endacak
Territori i Komunës së Tetovës vazhdon të jetë njëri nga territoret më të goditura me fenomenin e qenve endacak. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, informoi se komuna është duke punuar në drejtim të ndërtimit të një strehimore për qentë endacak, ndërsa përmendi një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate. “Me projektin të cilin po punojmë në drejtim të ndërtimit të një strehimore për qentë endacak, vlerësoj se do të jemi një hap më afër zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi”, njoftoi Kasami. Ai është ankuar se në Tetovë qentë sillen nga qytete tjera dhe se në adresë të tij kanë arritur shumë denoncime nga qytetarët, të cilët, siç u shpreh Kasani, kanë parë automjete duke sjellë qen endacak. Për këtë arsye, Kasami kërkoi angazhim më të madh të policisë. “Ftoj qytetarët të bashkëpunojnë me Komunën edhe policinë në denoncimin e rasteve, sepse tek unë vijnë informata në baza ditore nga qytetarët të cilët thonë se kanë vërejtur automjete që ka sjellë qen endacak”, tha Kasami.
Ai është shprehur se deri më tani, në Komunën e Tetovës janë trajtuar 80 qen endacak në bazë të marrëveshjes me shoqatën “Amos”, ndërsa shtoi se kohëve të fundit ka më pak qen endacak në pjesën qendrore të qytetit, si dhe nënvizoi se në të kaluarën – nuk është punuar aspak në këtë drejtim dhe se strehimorja kërkon kohë derisa të jetë në shërbim.
“Procedurat do të zgjasin, sepse nuk është e përfshirë vetëm Komuna e Tetovës, por është Inspektorati Shtetëror dhe Agjencia Shtetërore e Veterinarisë. Me këto institucione jemi në koordinim permanent për kushtet dhe rregullativat që përcaktohen se si mund të jetë një strehimore. Pra, ne në periudhën më të shkurtër do të mundohemi të themelojmë një strehimore dhe kjo do të varet se kur do të merret leja nga këta institucione”, theksoi Kasami. Kryetari i Komunës së Tetovës ka premtuar se jo më shumë se 90 ditë, në Tetovë do të ketë strehimore për qentë endacak. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë informacion se deri ku është procedura për ndërtimin e strehimores në Komunën e Vrapçishtit. Problemi me qentë endacak ka përfshirë pothuajse të gjithë rajonin e Pollogut. Krahas sulmeve nga qentë endacak që u regjistruan ditëve të fundit në Tetovë, me këtë problem përballet edhe Komuna e Gostivarit. Një javë më parë, kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, tha se ky problem është në nivel shtetëror dhe rajonal dhe jo vetëm i komunave të Pollogut.