Kuvendi sot duhet ta vazhdojë seancën e 115-të, në rendin e ditës së së cilës është pakoja e ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d. Propozim-ligjet për ndryshimin e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës dhe Ligjit për Planifikim Urbanistik kanë kaluar në Komisionin për Çështje Evropiane, ndërsa sot duhet të shqyrtohet Propozim ligji për ndryshimin e Ligjit për ndërtim.
Propozim-ndryshimet e Ligjit për marrëdhëniet e punës janë pika e 14-të, ndërsa ndryshimet në Ligjin për planifik urbanistik pika 17-të në këtë seancë plenare.
Me ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, mundësohet puna jashtë orarit më gjatë se tetë orë në javë dhe më shumë se 190 orë në vit, në rastet kur bëhet fjalë për veprimtari me interes kombëtar dhe strategjik për shtetin, pas pëlqimit paraprak me shkrim të punonjësit. Për shkak të natyrës së gjërave, siç theksohet, do të lejohet që aktivitetet të zhvillohen edhe të dielave.
“Punëtorët mbrohen me Ligjin për marrëdhëniet e punës dhe çdo orë jashtë orarit do të paguhet 35 për qind sipas Ligjit dhe Kontratës Kolektive. Në përputhje me ligjin, punëtorët kanë të drejtë në pushim ditor dhe javor, njoftoi Qeveria më 5 maj pas miratimit të pakos prej pesë ligjeve të cilat miratohen pas procedurës së shkurtuar dhe me flamur evropian.
Siç shpjegoi zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Enver Husein në konferencën për shtyp të mbajtur më 5 maj, puna jashtë orarit nuk do të thotë 60 orë në javë, por ajo do të varet nga kushtet atmosferike në terren dhe çdo orë jashtë orarit do të paguhet 35 për qind sipas Ligjit dhe Kontratës Kolektive, me deklaratë paraprake për pëlqim nga punonjësi.
“Puna mbi 40 orë në javë do të konsiderohet dhe paguhet si jashtë orarit me respektimin e detyrueshëm të dispozitave për pushim ditor dhe javor. Kjo do të thotë se punonjësi do të ketë të drejtën e pushimit prej të paktën 12 orësh në vazhdimësi ndërmjet dy ditëve të njëpasnjëshme gjatë 24 orëve. Gjithashtu, punonjësi ka të drejtën e një periudhe javore pushimi prej të paktën 24 orësh të vazhdueshme plus 12 orë pushim ditor. Përveç kësaj, për shkak të natyrës së punës dhe detyrave që kryhen në punë me interes kombëtar, lindi nevoja që ajo të mund të realizohej edhe të dielave. Ligji i propozuar parashikon një ndryshim që mundëson rregullimin e vendit dhe mënyrës së pagesës së pagave për punëtorët në projekte me interes kombëtar dhe strategjik”, tha Husein.
Opozita nuk është dakord me dispozita të tilla për 60 orë pune, ndërsa kanë reaguar edhe sindikatat. Nga lidhja e Sindikatave të Maqedonisë u bënë thirrje deputetëve që të mendojnë seriozisht para se të votojnë ligjin që cenon të drejtat e punëtorëve. Siç informuan ata, kanë marrë mbështetje nga Konfederata Botërore e Sindikatave (ITUC) dhe Sindikata Evropiane për Sektorin Publik.
“Ky ligj është i rrezikshëm. ONP e theksoi rëndësinë e ditës tetë-orëshe dhe javës 48-orëshe për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve. Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e detyruar ta mbështesë këtë dhe ta tërheqë menjëherë këtë ligj të rrezikshëm”, rekomandon ITUC.
Në letrën, megjithatë, nga Sindikata evropiane për Sektorin Publik, thuhet se koha e punës jashtë orarit paraqet kërcënim serioz për shëndetin dhe sigurinë dhe rrezikon ofrimin e shërbimeve publike të sigurta dhe cilësore.
“I bashkohemi ITUC-së për t’i bërë thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të tërheqë këtë iniciativë dhe të angazhohet plotësisht me partnerët socialë për çdo rishikim të planifikuar të legjislacionit të punës. Ne do të monitorojmë me kujdes situatën në konsultim me kolegët tanë në Maqedoninë e Veriut dhe presim përgjigje pozitive nga ju për këto çështje kritike”, thuhet në reagimin e Sindikatës evropiane për Sektorin Publik.