Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një 23-vjeçari nga Shkupi i dyshuar për tentim – Vjedhje e rëndë në pajtim me nenin 236 paragrafi 4. në lidhje me paragrafin 1 pika 1 nga Kodi Penal.
Siç kumtoi PTHP, më 14 maj, në atarin e fshatit Qojli të Shkupit ka hyrë në një objekt të veçantë të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga ku ka tentuar të sekuestrojë objekte të personave të tjerë me rëndësi të veçantë për sigurinë e njerëzve dhe pronës, me qëllim të përvetësimit të paligjshëm.
Me dara për armaturë ka prerë gardhin e telit dhe telin e posaçëm me gjemba, ka hyrë në perimetrin e objektit “Drenov Dol” ku janë ruajtur armët dhe mjetet tjera ushtarake. I dyshuari ka hapur derën me forcë, por në atë moment është ndaluar nga një ushtar profesionist i cili e ka kapur.
Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin për shkak të rrezikut nga arratisja, mundësi ndikimi te dëshmitarët apo përsëritje të veprës penale.