Në kuadër të këtij debati, studiuesit diskutuan po ashtu edhe mbi sfidat dhe perspektivat e reja të biznesit dhe ekonomisë në këndvështrimin e rimëkëmbjes së saj pas krizës ekonomike
Kriza globale ekonomike, konsolidimi dhe rritja e qëndrueshmërisë. Në këto tema kanë diskutuar profesorë eminent nga vendi dhe jashtë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë , në kuadër të konferencës së gjashtë ekonomike. Konferenca trajtoi një gamë të gjerë temash siç ishin, goditjet ekonomike, inflacioni i lartë, kriza energjetike dhe ajo e Kovidit. Sipas studiuesit Leo Pol Dana, faji për këtë stabilitet ekonomik të brishtë por edhe rritjen e tij bie mbi të gjithë ne.
Ai nënvizoi shembullin e pasivitetin tonë si rrezultat i teknologjisë dhe mungesës së produktivitetit. “Ekonomia shkon në pozitive por edhe rrinë në vend, varësisht nga konteksti që e merrni. Teknologjia na ka mundësuar neve që të punojmë nga shtëpia, teknologjia na ka mundësuar neve që të tentojmë të punojmë nga shtëpia dhe ajo na ka dhënë një arsyetim që të mos jemi produktiv sa duhet dhe shumë arsye kemi që të fajësojmë të tjerët. Pra kemi shumë arsye për fajësim të të tjerëve por kjo është e rrezikshme dhe duhet të na rikujtojë të gjithëve se duhet përgjegjësi të kemi gjithsecili për vete”, tha Leo Pol Dana, Profesor i Universitetit ekonomik të Parisi. Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë Abdylemaf Bexheti tha se për këto tema janë përgatitur më se njëqind punime shkencore të cilat janë dorëzuar për debatin e sotëm.
“Ne jemi në fazën e rimëkëmbjes së ekonomisë. Ju e dini se viti 2022 ishte me norma pozitive ekonomike të rritjes në rrafshin global, por e dini se jemi ende në fazën e reziliencës, pra fazën e sfidave të qëndrueshmërisë së kësaj rritjeje ekonomike, sepse normat lëvizin diku mes tre dhe katër për qind dhe janë të pamjaftueshme për regjionin dhe vendin sidomos. Andaj ne dhe studiuesit tanë, ashtu siç ju thash më shumë se 100 hulumtime trajtojnë çështjet e caktuara për mundësitë për përmirësimin dhe të inkuadrohen në politikbërjen e vendit dhe rajoni po ashtu, sepse kemi studiues nga Kosova, Shqipëria, lugina e Preshevës dhe Maqedonia që kanë dhënë sugjerimet e tyre në secilën fushë”, theksoi rektori Abdylemaf Bexheti. Në kuadër të këtij debati, studiuesit diskutuan po ashtu edhe mbi sfidat dhe perspektivat e reja të biznesit dhe ekonomisë në kënvështrimin e rimëkëmbjes së saj pas krizës ekonomike.