Site icon Tetova Expres

Nuk duhej flamuri europian në ligjet për korridoret | VIDEO

Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Dejvid Gir, thotë nuk ishte rasti tani që flamuri europian të vendoset mbi ligjet që lidhen me ndërtimin e korridoreve. Gir madje rithekson se praktika me vendosjen e flamurit europian përdoret shumë shpesh për miratimin e disa ligjeve, që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me praktikat evropiane dhe legjislacionin evropian.

“E ngrita çështjen për përdorimin e flamurit europian për shkak se shumë shpesh përdoret ky flamur. Kjo është një çështje që ne e kemi paraqitur në raportin vjetor të komisionit Europian dhe e kemi thënë shumë qartë se përdorimi i flamurit europian duhet të përdoret vetëm në raste të veçanta dhe me konsultime paraprake, adekuate, kur bëhet fjalë për ndonjë ligj që duhet të harmonizohet me legjislativin dhe praktikën e BE-së, në nuk është ai rast tani”, pohoi Dejvid Gir, ambasador i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, transmeton Televizioni KOHA.

Ndërkohë, një debat i ashpër u zhvillua mbi ligjet e nevojshme për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D në Komisionin për çështje europiane. Në një moment Bllagica Llasovska nga VMRO-DPMNE pa marrë fjalë,  filloi të fliste në foltore ndërsa kryetari i Komisionit Arbër Ademi vazhdimisht e luste që të largohet nga foltorja. Atmosfera pjesërisht u qetësua kur Ademi i dhuroi lule deputetes Gordana Siljanovska Dafkova për ditëlindjen e saj, ndërsa opozita komentoi se më mirë të hidhen lule se filxhanë për kafe.Debati filloi me shqyrtimin e amendamenteve për ligjin për marrëdhënie pune, që i dorëzoi VMRO-DPMNE, por i gjithë debati u shndërrua në replika dhe kundër replika.

Deputetët e opozitës përsëri me akuza se me flamurin europian për këto ligje, shkelet Kushtetuta dhe konventat europiane, dhe me këtë po mbrohen interesat e biznesit. Akuzave iu përgjigj Daniella Koleva nga LSDM, e cila tha se VMRO-DPMNE vetëm përhap gënjeshtra për ta penguar projektin më të madh shtetëror. Me pajtueshmëri me shkrim, punëtorët do të mund të punojnë siç punuan  deri më tani.

Bajram Kadria nga BDI tha se ligjet kanë flamur europian jo vetëm që të mbrohen ligjet por edhe paratë në vlerë prej mbi 1 miliardë euro që po investohen në ndërtimin e korridorit dhe se të njëjtat duhet të kenë edhe flamur amerikan. Me replikë doli Lefkov duke akuzuar për korrupsion. Pas debatit për ligjet e duhura për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D në Komision ku debati zgjat më së shumti 2 ditë, të njëjtat kthehen në seancë plenare për miratim. /Televizioni KOHA/

Advertisement

 

Exit mobile version