Site icon Tetova Expres

Mbi 760 objekte të ndërtuara në Malin Sharr | VIDEO

Në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr tashmë ka përfunduar regjistrimi I objekteve të ndërtuara jashtë vendbanimeve. Sipas të dhënave që ka publikuar Parku Kombëtar bëhet fjalë për 769 objekte të ndërtuara jashtë vendbanimeve, prej të cilave 5 në komunën e Mavrovë-Rostushës, në komunën e Gostivarit ka  24 objekte, në komunën e Vrapçishtit 61, në komunën e Bogovinës 74, në komunën e Tetovës 462, në komunën e Tearcës 115 dhe në komunën e Jegunovcës 28.

Këta objekte janë ndërtuar në pronë shtetërore dhe private  dhe disa prej tyre janë të legalizuara dhe disa nuk janë të legalizuara.Nga Parku Kombëtar njoftojnë se për të përcaktuar statusin e ndërtesave në fazën tjetër, janë planifikuar inspektime në terren, është planifikuar të bisedohet me secilën komunë dhe përveç kësaj  do të njoftojë të gjitha institucionet përkatëse për numrin aktual të këtyre objekteve.

Sipas planit të menaxhimit, ndërtimi i vendbanimeve të reja turistike dhe shtëpive të pushimit nuk lejohen në zonën e mbrojtjes së rreptë dhe menaxhimit aktiv, ndërsa ngritja e strehimoreve të reja  nga materialet natyrore për kullotjen tradicionale të bagëtive lejohet në të gjitha zonat përveç zonës së mbrojtjes së rreptë.Për ndërtimet pa leje dhe uzurpimin e pronës shtetërore, në muajt e kaluar tashmë janë dorëzuar disa kallëzime dhe njoftime për kundërvajtje në institucionet kompetente dhe kushdo që vepron në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për mbrojtjen e natyrës dhe Kodit Penal do të mbaj përgjegjësi, informuan nga Parku Kombëtar Mali Sharr.

Krahas kësaj, njoftohet se para tre viteve  si pasoj e zjarrit janë dëmtuar 80  hektar pyje edhe atë mbi fshatin Sellcë dhe Lisec dhe këtë informacion parku kombëtar nuk e ka patur. Për të pastruar këtë zonë, pritet që të lëshohen leje për prerjen e drunjëve për banorët e këtyre zonave. /Televizioni KOHA/

 

Advertisement

 

 

Exit mobile version