Na jepni shansin e ne zgjasim dorën tonë që të punojmë së bashku, deklaroi kryetari i Këshillit gjyqësor Sashko Georgievski, pas reagimit të Shoqatës së Gazetarëve dhe reagimeve të shumta në opinion për largimin e kamerave nga seanca e Këshillit Gjyqësor. Premtoi se kjo përbërje e Këshillit në krye me të do të jenë transparente dhe llogaridhënëse, ndërsa u kërkoi mediave që bashkërisht të luftojnë për të vërtetën.
“Ju lus për profesionalizëm dhe korrektësi. Ne si Këshill e shtrijmë dorën tonë për të qenë korrekt dhe transparent. Lus nga ana mediave që ta rregullojmë këtë me korrektësi dhe profesionalizëm. Ku ka kritika, do të kritikojmë njëri-tjetrin dhe aty ku kemi rezultate do ta ndajmë me publikun”, pohoi Sashko Georgievski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Ndërkaq sot reagoi edhe Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuele. Dënojnë largimin e kamerave dhe theksojnë se sjellja e tillë joprofesionale hedh pluhur jo vetëm mbi transparencën e gjyqësorit, por edhe cenon të drejtën e publikut për të qenë i informuar për punën e organeve gjyqësore.
“Kujtojmë se është veçanërisht e rëndësishme që të gjithë ekipeve të gazetarëve t’u sigurohet qasje e pandërprerë për raportim të ngjarjeve që janë me interes publik, në drejtim të sigurimit transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve”, thonë nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-Vizuele.
Georgievski tha se me buxhetin e Këshillit do të mundohet që me Agjencinë Informative Mediatike të lidhin marrëveshje për transmetimin direkt të seancave të Këshillit, ndërsa shtoi se nuk meriton një qasje të tillë, për shkak se sapo e ka marrë funksionin e kryetarit të Këshillit.Nuk meritoj qasje të tillë as si njeri, as si gjykatës e as si kryetar i Këshillit gjyqësor, për këtë ju bëj thirrje edhe njëherë se koha do të tregoj se do të kemi brifingje të rregullta, do të kemi deklarata, do të kemi transparencë dhe përgjigje për pyetjet që publiku interesohet”, pohoi Sashko Georgievski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Seanca e Këshillit vazhdoi me pikën e 6 të rendit të ditës ku do të formohet Komision për përgjegjësi ndaj gjykatësve ose kryetarit të ndonjë gjykate. Nuk dihet nëse do të ketë përgjegjësi për gjykatësin Enver Bexheti, që duke e mbajtur dosjen në sirtar, çoi deri në vjetërsim të lëndës së Sasho Mijallkov. /Televizioni KOHA/