Site icon Tetova Expres

Anulohet sërish seanca për spitalin modular në Tetovë | VIDEO

Është anuluar sërish seanca për fjalët përfundimtare në gjyqin për zjarrin në Spitalin Modular që ndodhi më 8 shtator të vitit 2021. Seanca është anuluar për shkak se mungoi avokati i njërit prej të akuzuarve Artan Etemi. Në arsyetimin e tij Artan Etemi tha se deri në momentin e fundit avokati e ka konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të jetë prezent  në seancë.

Gjykatësi në këtë lëndë Jordan Vellkovski me këët rast paralajmëroi se në seancën e rradhës duhet që të gjithë të jenë prezencë për shkak se duhet të jepen fjalët përfundimtare. Seanca e rradhës do të mbahet më 29 maj në orën 10. Prokuroria Themelore Publike në Tetovë gjatë vitit 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtori i Spitalit të Tetovës  Florin Besimi, ish-drejtorit ekonomik të Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësit të qendrës covid- Boban Vuçevski dhe Spitali Klinik të Tetovës si person juridik.

Ish drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi ndiqen penalisht se nuk kanë vendosur aparate për shuarjen e zjarrit, ndërsa Boban Vuçevski akuzohet se ka lejuar të afërmit të hyjnë në dhomat e spitalit ku ishin të shtruar pacientët, ndërkaq, si person juridik Spitali Klinik i Tetovës akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohë të pandemisë. Për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë janë bërë dy ekspertiza.

Njëra nga institucionet vendore e tjetra nga forenzikë të Gjermanisë. Të dy ekspertizat kanë konstatuar se zjarri ka filluar në njërën nga dhomat ku trajtoheshin pacientët në kabllon vazhduese dhe më pas është përhapur i në tërë modularin.

Ndërkohë, familjarët e viktimave disa herë për mediat kanë thënë se nuk kanë besim në drejtësinë vendore. Ata kanë thënë  se rasti duhet të ketë edhe hetim ndërkombëtar, pasi, sipas tyre nuk janë akuzuar të gjithë personat përgjegjës për këtë tragjedi.

Advertisement

Avokatët e të akuzuarve Florim Besimi, Artan Etemi, Boban Vuçevski, si dhe Spitalit Klinik të Tetovës në seancat paraprake kanë njoftuar gjykatësin se të njejtit nuk do të prononcohen në seancën për fjalët përfundimtare.

Ndryshe, më 8 shtator të vitit 2021, në orët e mbrëmjes ka shpërthyer zjarr në Spitalin Modular në Tetovë, me ç`rast jetën e kanë humbur 14 persona, në mesin e tyre pacient, mjek dhe fëmijë. /Televizioni KOHA/

 

 

 

Advertisement
Exit mobile version