Site icon Tetova Expres

Shënohet dita e fitores ndaj fashizmit dhe dita e Evropës | VIDEO

Me vendosjen e luleve nga delegacionet e huaja diplomatike, u shënua 9 maji në Shkup, dita e fitores ndaj fashizmit si dhe dita e Evropës. Kryeministri po qëndron në Uashington, e Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, bëri thirrje për vendime të guximshme dhe për pajtim.

”Në vitin 1991, liderë të guximshëm të këtij shteti e deklaruan pavarësinë dhe më pas erdhi edhe pajtimi mes komuniteteve që të vazhdohet përpara në ndëritimin e një shteti të përbashkët. Në vitin 2001, u deshën burra dhe gra të guximshme që të nënshkruajnë një marrëveshje paqe, Marrëveshjen e Ohrit dhe më pas të vazhdojnë para së bashku që ta fitojmë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. E njëjta ndodhi me Marrëveshjen e Prespës. U deshën lider të guximshëm që të pajtohemi me fqinjët tanë, të ndryshojmë kushtetutën dhe të bëhemi pjesë e NATO-s. Edhe tani kërkohen lider të guximshëm në këtë proces të pajtimit që ta rrumbullakojmë procesin tonë si anëtarë të BE-së. Në këtë Qeveri kemi lider që janë të gatshëm të nisin procesin e pajtimit dhe të sjellin vendime të guximshme për këtë shtet, për hire të ardhmërisë që duhet ta presim si anëtarë të BE-së, NATO dhe komunitetit euro-amerikan” – tha Artan Grubi.

Ndërsa  ambasadori evropian, Dejvid Gir, edhe një herë rikujtoi Maqedoninë e Veriut se rruga drejt anëtarësimit është e hapur, por duhet të përmbushen obligimet e marra.

”E kam nderin që të jem këtu me ju për ta festuar lindjen dhe vizionin për një Evropë të bashkuar dhe progresive. Sot Maqedonia është në vendin e duhur, që të bëhet pjesë e këtij vizioni, të ecë para me vendosmëri drejt integrimit në BE pasi u hapen bisedimet në korrikun e kaluar. Rruga është e hapur dhe detyrimet që i kemi para janë të qarta” – deklaroi Dejvid Gir.

Në këtë ngjarje u drejtuan edhe Zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq, si dhe përfaqësuesi i ambasadës amerikane. /Televizioni KOHA/

Advertisement

 

 

 

Exit mobile version