Site icon Tetova Expres

Rreth 65 përqind e studentëve të diplomuar në UEJL gjejnë punë | VIDEO

Në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë është mbajtur panairi i Karrierës, ku kanë marrë pjesë rreth 50 kompani  nga Maqedonia dhe rajoni.Panairi i karrierës është një mundësi e mirë sepse ofrohen  më tepër se 40 vende pune dhe mundësi për punë praktike në këta kompani, nënvizoi rektori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë Abdylmenaf Bexheti. Sipas tij, ky panair u dedikohet studentëve për të pasur më shumë mundësi për punësim duke sjellur studentët, punëdhënësit dhe sektorin civil, ndërsa nënvizoi se universiteti që drejton ai gjithnjë shkon në drejtim të përshtatjes së kërkesës së tregut të punës.Bexheti tha se raporti i fundit për punësimin e studentëve që përfundojnë studimet në këtë universitet tregon se rreth 65 përqind e studentëve të diplomuar gjejnë punë.

“Ajo që tregon në raport  se 65 përqind e studentëve të diplomuar në një periudhë prej gjashtë muajve të diplomimit janë të punësuar.Pra, flasim për gjeneratën 2020/21, dhe nëse kësaj ia shtojmë edhe 20 përqind të atyre që me dëshirë nuk kërkojnë punë, sepse kanë përcaktime tjera duke shkuar në profesionalizim, apo vazhdojnë master studimet, pra punësimi është 83 përqind.Pra, vetëm 17 përqind janë të papunësuar prej atrye që kanë përfunduar studimet dhe kanë diplomuar në Universitetin tonë” tha për Televizionin KOHA rektori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë Abdylmenaf Bexheti.

Duke ju referuar shifrave në nivel të shtetit, rektori Bexheti tha se në Maqedoninë e Veriut ka 17 mijë vende pune për të cilët nuk gjenden profile të caktuara.Në ndërkohë, në Tetovë tashmë ka filluar aplikimi për masat aktive të vetpunësimit dhe ka një interesim të madh, thonë nga Agjencioni pë Punësime në Tetovë.Nga ky agjencion thonë se shumica e atyre që kanë fituar grante vitin e kaluar, bëjnë aplikime për të rritur numrin e të punësuarve përmes masës për subvencionim të rrogave.

“Për momentin në Tetovë kemi afër 14 mijë të papunë dhe këta janë kërkues aktiv, kurse dy mijë janë të papunë por që janë në kategorinë e atyre që nuk janë kërkues aktiv të punës.Gjithsej janë 16 mijë të papunë në Tetovë.Më së shumti që kërkohet në trefun e punës janë profesorët e lëndës së matematikës, Inxhineirët e teknologjisë, profesorët e Kimisë e kështu me rradhë” tha për Televizionin KOHA Abdylexhelal Jonuzi, Drejtor i Agjencionin për Punësim në Tetovë.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë Abdylmenaf Bexheti informoi se tashmë rreth 70 përqind e të diplomuarve punësohen në sektorin privat dhe vetëm 30 përqind janë të punësuar në administratën publike shtetërore, kurse para shumë vitesh ky proporcion ishte anasjelltas. /Televizioni KOHA/

Advertisement

 

 

 

Exit mobile version