Në vazhdën e aktiviteteve kushtuar Ditës së Evropës, të organizuara nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës dhe Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, Ambasadorja e Suedisë në vendin tonë, Ami Larsson e vizitoi Universitetin e Tetovës, me ç’rast u prit nga Rektori Kushtrim Ahmeti.
Rektori, ambasadoren e njoftoi me ecurinë e punëve në Universitet, veprimtarinë arsimore-shkencore dhe kontributin që ky institucion jep për mirën e përgjithshme. Pas takimit, Ambasadorja para studentëve të Fakultetit Juridik mbajti një prezantim lidhur me procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Me këtë rast, Dekani i Fakultetit Juridik, Jusuf Zejneli potencoi faktin se, ne gjithmonë mbështesim bashkëpunimin në kuadër të kontributit të tërësishëm dhe në veçanti në procesin e integrimit në BE dhe se vendi po ballafaqohet me një proces mjaft serioz lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimeve në Kodin zgjedhor, me qëllim të hapjes së rrugës për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë të vendit në BE, njofton Televizioni KOHA.
Ambasadorja suedeze deklaroi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
“Republika e Maqedonisë së Veriut u ballafaqua me sukses dhe profesionalisht me procesin e skriningut. Kërkohet mbështetje për procesin e mëtutjeshëm të integrimeve evropiane. Mbetet prioritet çështja e sigurisë, zgjidhja e problemit të papunësisë, ruajtja e vlerave demokratike dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit. Korrupsioni është shumë i dëmshëm pasi shkatërron shoqërinë dhe dobëson demokracinë, e si rrjedhojë humbet besimi tek institucionet, po ashtu kërcënon funksionimin e ekonomisë dhe e prish konkurrencën, e nga tërë kjo në fund humbasin qytetarët, bizneset dhe shoqëria në tërësi”, tha, Ambasadorja e Suedisë në Ami Larsson, transmeton Televizioni KOHA.
Në komunikimin me ambasadoren, studentët tanë ishin mjaft aktivë dhe këtë e dëshmuan përmes pyetjeve dhe komenteve që kanë të bëjnë me çështjen e realizimit të ndryshimeve kushtetuese dhe procesin e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje. /Televizioni KOHA/