Me rastin e themelimit të Shoqatës Bjeshkatare Tetova, është organizuar një marshutë në malin sharr. Rreth 400 bjeshktarë, nga shumë shoqata të alpinistëve nga Tetova, qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut, përfaqësues të shoqatave nga Kosova, nën organizimin e kësaj shoqate bjeshkatare shënuan aktivitetin e parë në parkun kombëtare në Malin Sharr. Marshuta filloi nga fshati Bozofcë, ndërsa një pikë e veçantë ka qenë edhe ndalesa në Pishat e Bozofcës. Këta bjeshkatarë dje marshuan në shumë vende të njohura në Malin Sharr, ndërsa një manifestim është mbajtur edhe në Shtëpinë e Lirisë, me këngë, valle, tupana dhe ushqime tradicionale. Lidhur me qëllimin e kësaj marshute dhe qëllimin e themelimit të shoqatës së Bjeshktarëve Tetova për Televizionin KOHA foli Sejdi Halili.Ai tha se misioni është që të promovohen vlerat në Malin Sharr.
Mali Sharr gjithmonë ka qenë një atraksion i veçantë për bjeshkatarët dhe alpinistët vendorë por nuk mungojnë edhe alpisintë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe jo vetëm. Me Shpalljen e Malit Sharr si park Kombëtar, kohëve të fundit është rritur dukshëm interesimi edhe i turistëve të huaj për të vizituar vendet e bukura dhe natyrën e malit sharr. Themeluesit e kësaj shoqate apelojnë që qytetarët sa më shumë të vizitojnë bukuritë që ofron Mali Sharr.
Në manifestimin qendror që u mbajt tek Shtëpia e Lirisë në Pishat e Bozofcës, drejtuesit e Shoqatës Bjeshkatare Tetova ndanë mirënjohje për pjesëmarrësit në këtë marshutë. Poashtu mirënjohje janë ndarë edhe për dy bjeshkataret më të vogla në moshë. /Televizioni KOHA/