Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës, më 5 maj 2023, e organizoi trajnimin njëditor me maturantët nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Trajnimi me temë “Zotërimi i Gjuhës Shqipe – Çelës për hapjen e mundësive të reja” kishte qëllim kryesor parapërgatitjen e maturantëve për provimin e maturës shtetërore në lëndën e Gjuhës shqipe.
Mbajtjen e këtij trajnimi e përshëndeti edhe Rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i cili i përgëzoi organizatorët, përkatësisht profesorët e kësaj katedre. “Këtë trajnim për herë të parë e organizon Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e Fakultetit Filologjik, me profesorë të cilët tashmë e njohin shumë mirë këtë punë dhe ju keni fatin të mësoni nga ta. Duke dashur që ju të kaloni sa më mirë në atë provim shtetëror, ata gjithashtu ju nxisin për ruajtje, pasurim dhe përdorim të drejtë të gjuhës amtare kudo që të jeni e në çdo kohë, sepse gjuha është identiteti ynë themelor, është baza e asaj që quhet shoqëri njerëzore”, theksoi, Rektori I Universitetit të Tetovës. Ai, po ashtu shtoi se, të studiosh gjuhën amtare nuk është vetëm investim personal në karrierë, por nënkupton edhe zbatimin e saj në praktikë, kontributin për ngritje, afirmimin dhe vlerësimin më të madh kundrejt kulturës shqiptare në përgjithësi.
Në hapje të trajnimit të sotëm, me fjalë rasti u drejtua edhe dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani, ku informoi se si erdhi deri te realizimi i trajnimit njëditor në katedrën e tyre, se cili ishte qëllimi kryesor dhe se në cilat gjëra maturantët e shkollave të ndryshme duhet të ndalen për një sukses më të pritshëm. Ndër të tjera ai theksoi se, ky trajnim njëditor ata do t’i nxisë jo vetëm për një lexim dhe studim më të mirë të gjuhës dhe letërsisë shqipe, por edhe për një të ardhme të sigurt në vendin tonë, duke treguar edhe për mundësitë e ndryshme të punësimit të cilat i ofron të studiuarit e kësaj gjuhe. Me bindje të madhe për këtë trajnim të veçantë e të nevojshëm dhe me të besuarit e një ndihme të paktë për një kapërcim të lehtë të provimit të maturës shtetërore ai i uroi maturantët për suksese duke ua theksuar në fund se jo vetëm fakulteti i tyre, por edhe gjithë Universiteti i Tetovës mirëpret studentët e rinj për arritje të reja.
Gjithashtu, ky trajnim njëditor u ndihmoi maturantëve të vendit që nga afër të dëgjonin se në cilat detaje duhet të kenë kujdes gjatë plotësimit të provimit të maturës shtetërore dhe se cilave gjëra t’u shmangen për të mos dështuar. Këto sugjerime ata i dëgjuan nga profesoresha e shkollës së mesme, Nurije Bajrami, një testatore ndër vite në këtë provim shtetëror e cila me teste konkrete të viteve paraprake ua bëri më të qarta këto hollësi.
Në trajnimin e lartpërmendur maturantët diskutuan për çdo paqartësi që kishin në lidhje me provimin e maturës, por edhe përfitimet në këtë fazë përgatitore. Në përfundim të gjithë maturantëve iu ndanë certifikata për pjesëmarrje në trajnimin “Zotërimi i Gjuhës Shqipe – Çelës për hapjen e mundësive të reja”.