Tre automjete janë djegur në afërsi të urës së Bit-pazarit në komunën e Çairit.
Policia po bën hetime për të zbuluar se si ka ardhur deri te zjarri. Veturat njëra me targa Gostivari, dy me targa të Shkupit ishin të parkuara dhe fatmirësisht nuk ka të lënduar por ka vetëm dëme materiale.Për zjarrin është raportuar rreth orës 3 të mëngjesit, më pas kanë ndërhyrë zjarrfikësit dhe kanë shuar zjarrin.Ministria e Punëve të Brendshme e ka konfirmuar incidentin.
”Më datë 08.05.2023 në ora 03.11 në SPB Shkup është raportuar se në rrugën “Cvetan Dimov” në Shkup zjarri ka kapluar tri automjetet edhe atë “Opel” me targa të Shkupit në pronësi të A.S.(41) nga Shkupi “Volksfagen Golf”, me targa të Gostivarit në pronësi të O.S.(46) nga Gostivari, “Peugeot” me targa të Shkupit në pronësi të A.M.(27) nga Shkupi. Zjarri është shuar nga ekipi i Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit dhe nuk ka persona të lënduar” – thonë nga MPB.
Raportohet se pronari i automjetit të djegur “golf 8” është një ish-gjykatës nga Gjykata Themelore e Gostivarit dhe profesor aktual në Strugë.
Kohëve të fundit, janë shënuar disa raste të djegieve të veturave. Rastet më eklatante janë ata të punonjësve të Burgut të Idrizovës ndërsa policia ende nuk i ka zbuluar kryerësit e veprave. /Televizioni KOHA/