Përsëri do të ketë tarifë të lirë ditore të energjisë elektrike, e cila u hoq në janar të vitit të kaluar për shkak të krizës energjetike. Siç thotë kryetari i Komisionit Rregullatot për Energjetikë, Marko Bislimoski, analizat që kanë bërë deri më tani tregojnë se ka mundësi që nga korriku të kthehet tarifa e lirë për shkak të rënies së çmimit të energjisë elektrike në bursën botërore, transmeton Portalb.mk.
“Deri në fillim të qershorit duhet të bëhen të gjitha analizat për kthimin e tarifës së lirë. Çmimet në bursën botërore kanë shënuar rënie të ndjeshme dhe kjo mundëson rifutjen e energjisë elektrike të lirë për dy orë gjatë ditës”, thotë Marko Bislimoski, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Bislimoski thotë se çmimet tani i mundësojnë EMV-së dhe EVN Home-it që të blejnë rrymë në tregun e lirë, për të ruajtur resurset, gjegjësisht thëngjillin dhe ujin për periudhën e dimrit, kur nuk dihet se sa do të jenë çmimet e energjisë elektrike.
Tarifa e lirë gjatë ditës u prezantua në tetor 2017. Qeveria e hoqi atë më 1 janar 2022, kur pati rritje të çmimit të energjisë elektrike me 9.48 për qind. Nëse do të mbetej tarifa e lirë, qytetarët do të duhej të paguanin 14.23 për qind më shtrenjtë energjinë elektrike.
Qytetarët vazhdojnë të përdorin energjinë e lirë vetëm gjatë natës, nga ora 22:00 deri në orën 07:00 çdo ditë dhe gjithë ditën të dielave.