Brifingun me gazetarët, Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani e mbajti online, pasi gjendet për vizitë zyrtare në SHBA.
Ai theksoi se këtë javë ka pasur bisedime serioze të nivelit Teknik në Bruksel lidhur me hapat e ardhshme, dinamikat e brendshme që kanë të bëjnë me obligimet e vendit lidhur me procesin e ndryshimeve kushtetuese.
“Dua të merren parasysh mendimet e të gjitha vendeve anëtare, të Bullgarisë, dinamika e ndryshimeve kushtetuese që t`i kemi parasysh të gjitha kombinatorikat e mundshme. Nuk ka devijim nga ajo që është thënë në kornizën negociuese, respektivisht me kompletimin e ndryshimeve kushtetuese të nis hapja e kapitullit të parë” – deklaroi Bujar Osmani. Osmani tha se Ministria e Punëve të Jashtme është e përfshirë në procesin e përgatitjes së tekstit të ndryshimeve kushtetuese përmes përfaqësuesit të saj në grupin punues dhe ai personalisht në kërkimin e mbështetjes për këtë proces nga miqtë e Maqedonisë së Veriut nga skena ndërkombëtare. Formulimi i tekstit të ndryshimeve kushtetuese është duke vazhduar si aktivitet i grupit punues, pastaj pason debati publik në të cilin do të përfshihen të gjithë akterët shoqërorë dhe kjo do të jetë pjesa më thelbësore e debatit, tha Osmani.
“Kur qytetarët do t’i lexojnë amendamentet do të kuptojnë se për gjithçka që kemi qenë dëshmitarë paraprakisht, ka qenë pjesë e një propagande partiake-politike dhe përpjekje për të futur frikë te qytetarët, për të polarizuar shoqërinë, për të fituar pikë politike dhe mendoj se të gjitha ato tentativa do të dekonstruohen”, theksoi Osmani.
Lidhur me qëndrimin e opozitës, e cila nuk e përkrah procesin e ndryshimeve kushtetuese, Osmani ka përsëritur se vetë procesi do të tregojë se të njëjtat janë vetëm kalkulime partiake në llogari të së ardhmes së shtetit.
“Procesi i debatit publik do të jetë i hapur dhe transparent. Çdo qytetar do të ketë mundësinë të shprehë qëndrimet e tij, përfshirë edhe deputetë, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita. Kur të dalë e vërteta në pah, dhe atëherë kur të përgatitet teksti i ndryshimeve kushtetuese, të gjitha tezat e opozitës do të bien në ujë. Nëse vazhdojnë ta bllokojnë procesin, do të duhet t’u përgjigjen qytetarëve se pse po e pengojnë progresin e shtetit”, tha Osmani. /Televizioni KOHA/