Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Antonoi Jolevski mendon se Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga nuk ka të drejtë ta kërkojë procesverbalin të seancës ku u shkarkua kryetarja e Këshillit Gjyqësor Vesna Dameva. Jolevski tha se Këshilli vetë duhet të vlerësoj se a do t’ia dorëzoj procesverbalin ministrit Lloga.
“Ministria e Drejtësisë është pushtet ekzekutiv, pushteti gjyqësor është i veçantë dhe këtu tashmë ka përzierje të pushtetit. Sipas meje, ministri i Drejtësisë nuk ka autorizim në pjesën e pushtetit gjyqësor, megjithatë se a do t’i mundësohet dhe a do t’i jepet procesverbali është punë e Këshillit Gjyqësor”, pohoi Antonio Jolevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve.
Ministria e Drejtësisë nuk pajtohet me mendimin e Jolevskit. Nëpërmjet një demanti drejtuar kreut të Këshillit të Prokurorëve nga kabineti i krenar Llogës shprehen të befasuar nga deklarata e tillë e Jolevskit. Shpjegojnë se sipas Kushtetutës, ministri i Drejtësisë është anëtar i Këshillit Gjyqësor sipas detyrës zyrtare, ministri ftohet nga Këshilli gjyqësor, merr pjesë në seancat e tyre dhe ministrit i dërgohen raporte nga puna e Këshillit.
“Neni 15 i Rregullores përcakton se procesverbali, përveç të dhënave të tjera, përmban të dhëna për rendin e ditës që është konstatuar në seancë, parashtrimet, deklaratat dhe propozimet e të pranishmëve në seancë, diskutimin e zhvilluar, vendimet e marra dhe rezultatin e votimit. Procesverbali shqyrtohet dhe miratohet në seancën e Këshillit dhe pas vërejtjeve të mundshme, Këshilli nxjerr përfundimin që është pjesë përbërëse e procesverbalit të cilit i referohet vërejtja. Procesverbali i miratuar i mbledhjes së Këshillit nënshkruhet nga kryetari i Këshillit dhe sekretari i përgjithshëm, përkatësisht personi që ka mbajtur procesverbalin. Këshilli Gjyqësor është i detyruar që një kopje të procesverbalit t’ua dorëzojë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor në mënyrë elektronike”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Nga ministria i Drejtësisë përfundojnë se ministri si anëtar i Këshillit Gjyqësor, ka të drejtë të reagojë dhe të kërkojë përmbushjen e detyrimit për dërgimin e procesverbalit të seancës së Këshillit Gjyqësor. Ndërkaq sipas Jolevskit, Dameva vazhdon të jetë kryetare e Këshillit Gjyqësor sepse procedura për shkarkim ose ndryshim të kryetarit të Këshillit gjyqësor është e veçantë dhe jo ajo që u zbatua atë ditë. Sipas Jolevskit procedura se si u shkarkua Dameva nuk është e paraparë në ligj.