Gjashtë kandidatë janë në garë për rektor të UKIM. Sipas raportimeve, kandidatë për rektor të ri janë Biljana Angelova nga Instituti Ekonomik; Goran Ajdinski nga Fakulteti Filozofik; kolegu i tij që vjen nga i njëjti fakultet, Ratko Duev; Atanas Koçov nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike; Hristina Spasevska nga Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjive Informative (FEIT), prej nga vjen edhe kolegu i saj Dimitar Tashkovski, informon PRESSonline.al.
Në një mbledhje, komisioni zgjedhor universitar shqyrtoi dhe pranoi të gjashtë aplikimet e kandidatëve për rektor të ri të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, të cilët kanë mbërritur para afatit.
Votimi për rektorin e ri të universitetit më të vjetër në vend “Shën Kirili dhe Metodi” (UKIM) është caktuar për datën 30 maj, nga ora 14:00 deri në ora 16:00, në të 23 fakultetet dhe 5 institutet.
Prorektorja Spasevska së fundi theksoi se në këtë garë rektoriale hyn me bindjen se në bashkëpunim me profesorët, asistentët dhe studentët mund të bëhen ndryshime reale në UKIM si institucioni më i vjetër dhe më i njohur arsimor në vend.
Procedura për regjistrimin e kandidatëve për rektor të UKIM-së ka nisur më 3 prill.
Nga data 15 deri më 26 maj do të bëhet prezantimi i kandidatëve për rektorë në kampuset e UKIM. Më 17 maj do të përcaktohet lista e vetme zgjedhore. Të drejtë vote kanë rreth 1500 zgjedhës, të zgjedhur në titullin profesor, asistent, profesor ordinar dhe inordinar. Rivotimi eventual është caktuar për më 9 qershor.
Rektori i ri i Universitetit të Shkupit duhet ta pasojë rektorin aktual, Nikolla Jankullovski nga Fakulteti i Mjekësisë, i cili e mbajti postin e rektorit për dy mandate. / PRESSonline.al